Shuhet KB Prishtina
Klubi më i suksesshëm kosovar i basketbollit, KB Prishtina është shuar, ashtu siç ka paralajmëruar të hënën gazeta Express.
Atë që nuk e bënin prej vitesh skuadrat e tjera kosovare nëpër gara kampionale, e bëri borxhi, i cili e ndali klubin kryeqytetas, por në aspektin e funksionimit. Për shkak të borxheve të mëdha, delegatët e Kuvendit të KB Prishtinës, me shumicë votash, kanë marrë vendim që t’i vihet dryni këtij klubi. Me këtë rast, Kuvendi i klubit është shpërbërë, derisa anëtarët e Shtabit Teknik dhe basketbollistët e skuadrës janë liruar nga kontratat.
Një vendim i gjykatës, i cili e obligonte klubin kryeqytetas t’i shlyejë rreth 100 mijë euro borxh ndaj një ish-zyrtari dhe dy ish-basketbollistëve, i detyroi kuvendarët ta ‘arkivojnë’ Sigal Prishtinën. Madje, gjendja e klubit ishte rënduar edhe më shumë për shkak edhe të disa borxheve të tjera ndaj disa menaxherëve të huaj të basketbollistëve. Ata e kishin paraqitur rastin në FIBA, me ç’rast Sigal Prishtina edhe ashtu nuk do të mund të merrte pjesë në gara evropiane – pasi Kosova të inkuadrohej në FIBA – pa i kryer të gjitha obligimet ndaj tyre. Të gjitha këto borxhe, të trashëguara nga ish-Kryesia e edicionit 2003/2004, u kishin mbetur mbi kokë krerëve të deritanishëm të klubit.
Lajmi për shuarjen e KB Prishtinës është konfirmuar të hënën mbrëma edhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
“Në mbledhjen e Bordit të FBK-së, u analizua dhe vlerësua dokumentacioni i dorëzuar nga KB Prishtina, e cila si tërësi dorëzoi njoftimin për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, procesverbalin, nënshkrimet nga kuvendarët në vendimin për shuarjen- likuidimin e klubit për shkak të borxheve të mëhershme, e që Bordi i FBK-së e mori si të drejtë të tyre statutare për një vendim të tillë nga organi më lartë i një klubi”, thuhet në një njoftim të FBK-së.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se nga kush tani borxhlinjtë do t’i kërkojnë paratë. E paqartë mbetet edhe fakti se çfarë do të ndodhë me historinë e bujshme të klubit më të trofeshëm kosovar, trashëgimtare e atij klubi të themeluar qysh në vitin 1970.
Themelohet Prishtina BC, i bashkohet Superligës
Me shuarjen e KB Prishtinës, kryeqyteti nuk ka mbetur pa klub të basketbollit. Në Prishtinë, më 15 shtator, disa ish-basketbollistë dhe dashamirë të këtij sporti e kanë mbajtur një kuvend, në të cilin kanë formuar klubin e ri me emrin Prishtina Basketball Club, (Prishtina BC). Kryetar i këtij klubi është emëruar Qerim Gashi.
Udhëheqësit e këtij klubi të ri menjëherë kanë aplikuar për regjistrim në Federatën e Basketbollit të Kosovës.
“Bordi analizoi dhe mori në shqyrtim kërkesën, e cila është dorëzuar për regjistrim të OJQ-së ‘Prishtina Basketball Club’ si nismëtare e themelimit të klubit të ri, e cila u dokumentua me procesverbal dhe listën e Kuvendit themelues për klubin e ri tash të quajtur ‘Prishtina BC’, me hierarki të Kryesisë të dalë nga Kuvendi
themelues i thirrur nga kjo OJQ (Prishtina Basketball Club) si dhe fletëparaqitjen për edicionin e ri të garave në rangun me të ulët, Ligën e Parë të Kosovës në basketboll”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Sipas këtij njoftimi, Bordi i FBK-së e ka aprovuar kërkesën e krerëve të këtij klubi, që nga edicioni i ri, i cili nis në tetor, Prishtina BC të garojë në BKT Superligë.
“Prishtina BC’ paraqiti edhe kërkesën zyrtare që Bordi i FBK-së ta shfrytëzojë autorizimin e Kuvendit të punës të mbajtur të mbajtur më 27 gusht, që në rast të nevojës, kompletimi i BKT Superligës të bëhet me vendim të Bordit, dhe duke e analizuar dhe vlerësuar se ky klub jep garancinë se ka sponsor, organizim të mirëfilltë, fond të mirë të lojtarëve, anëtarët e Bordit prezentë në këtë mbledhje, unanimisht votuan ‘Prishtina BC’ të jetë anëtare e BKT Superligës për edicionin 2011/2012”, theksohet në këtë kumtesë.
Arben Krasniqi me lojtarët e tij kalojnë në Prishtina BC?
Trajneri i deritanishëm i KB Prishtinës, Arben Krasniqi dhe ndihmësit e tij, e po ashtu edhe gjithë lojtarët e klubit tashmë të shuar, të martën pritet t’i bashkohen klubit të posathemeluar, Prishtina BC. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga disa burime të besueshme të gazetës Express. Me shuarjen e KB Prishtinës, Krasniqi me bashkëpunëtorë dhe lojtarë janë liruar nga kontratat. Andaj, si të lirë, ata pritet që t’i bashkohen Prishtinës BC të martën, kur edhe përfundon afati kalimtar për basketbollistë në FBK.