E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Lulzim Basha te marten ne Shkup

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha të martën në Shkup do të shënojë fillimin e manifestimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit. Së bashku me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e Çairit, Izet Mexhiti do të vendosin zyrtarisht gurthemelin për sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë të kyçen në këto manifestime, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike. Për organizim sa më të mirë të manifestimeve, këshilli organizativ mbajti edhe një koordinim me përfaqësuesit e ministrisë së kulturës, përfaqësuesit e universiteteve dhe shoqatave jo qeveritare. Aty janë diskutuar të gjitha aktivitetet që duhet të përfshihen për shënimin sa më madhështor të këtij viti jubilar. Shkupi dhe shqiptarët e Maqedonisë do të bëjnë përpjekje maksimale që për shënimin e këtij viti jubilar të mos mbeten prapa Tiranës dhe Prishtinës. Si pjesë e manifestimeve që do të zgjasin gjatë tërë vitit, janë paraparë seminare të shumta, gara sportive dhe mbrëmje poetike. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, i cili është kryetar i Këshillit organizativ, u ka bë apel gjithë shqiptarëve të Maqedonisë të kyçen në këto manifestime, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike. Përpos vendosjes së gurthemelit në sheshin Skënderbeu, të martën në Shkup tradicionalisht do të vendosen lule tek busti i Skënderbeut. Po ashtu do të organizohet edhe manifestimi tradicional “Flaka e janarit” ku do të përkujtohen Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, por dhe 30 vjetori i funksionimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Përderisa aktivitetet për shënimin e 100 vjetorit janë para fillimit, ende nuk është e qartë nëse realizimi i tyre do të ndihmohet financiarisht edhe nga Qeveria e Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›