E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Lulzim Basha vizite ne Maqedoni

544 vite pas vdekjes së tij Skënderbeu edhe më tej po bashkon shqiptarët, gjithkund ku janë në trojet e tyre. Me këto fjalë kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha e ka përshëndetur solemnitetin e vendosjes së gurëthemelit të sheshit “Skënderbeu” në Shkup, aktivitet që shënoi fillimin e manifestimeve në Maqedoni për 100 vjetorin e shtetit shqiptar.

17 janari i vitit 2012 do të shënohet si datë e veçantë për shqiptarët e Shkupit dhe Maqedonisë, tha kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Ai e krahasoi këtë datë me datat më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.

Qëndrimi i kryebashkiakut Basha në Shkup nuk ishte vetëm protokollar. Shqiptarët e Shkupit i përgatitën mikpritje vëllazërore, duke stolisur qytetin e tyre me pankarta të shumta ku shprehej mirëseardhje për kreun e Tiranës. Kjo mikpritje e ngrohtë ishte tepër emocionale për zotin Basha.

Kryetari i bashkisë së Tiranës është takuar edhe me kryetarin e qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Më parë ai është takuar edhe me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi, i cili është edhe kryetar i Këshillit për shënimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar në Maqedoni. Në takim është biseduar për koordinim të afërt të gjitha aktiviteteve, me qëllim që shënimi i këtij viti jubilar të jetë sa më madhështor në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.

Vizitën e tij në Shkup kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha e ka filluar me një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi. Në këtë takim ata kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe Maqedoni. Temë e pashmangshme e takimit ka qenë edhe kontributi në shënimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Thaçi tha se me zotin Basha ka biseduar jo vetëm si me një kryetar bashkie por edhe si një figurë e rëndësishme në skenën politike shqiptare.

Thaçi dhe Basha kanë diskutuar edhe mundësitë për bashkëpunim mes bashkisë së Tiranës që udhëhiqet nga një kuadër i Partisë Demokratike dhe komunës së Tetovës si komunë më e madhe shqiptare në Maqedoni, që drejtohet nga një kuadër i Partisë Demokratike Shqiptare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›