E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Fierit bojkoton Berishën

Qëndrimi Zeqaj: Nuk e pres, nëse këshilltarët e PD-së s’e miratojnë buxhetin e bashkisë

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, thotë se nuk do ta presë Kryeministrin Sali Berisha në vizitën e tij në Fier, nëse këshilltarët e PD-së s’e miratojnë buxhetin e bashkisë. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Zeqaj tha: “Vendimi im për ta braktisur Kryeministrin vjen si përgjigje e ‘bojkotit’ që vartësit e tij partiakë në Fier kanë bërë për problemet e pushtetit vendor”. Dje ishte parashikuar që Bashkia e Fierit dhe Drejtoria Rajonale Arsimore të inauguronin fillimet e punimeve të një shkolle të re. Fondet për ndërtimin e kësaj shkolle janë siguruar falë një projekti të KE-së. Pikërisht inaugurimi është shtyrë për në një kohë tjetër, me kërkesë të drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Suzana Numani, e cila me tepër përzemërsi i ka komunikuar kryetarit të bashkisë se në ceremoninë e inaugurimit të shkollës së re do të jetë i pranishëm jo vetëm ministri i Arsimit dhe Shkencës, por edhe Kryeministri Sali Berisha. Por ky lajm nuk e ka gëzuar kryebashkiakun socialist. Megjithëse thotë se është përpjekur gjithnjë të mos sillet si socialist, por si përfaqësues i qytetit të Fierit, Zeqaj deklaron se “vendimi për të mos e pritur Kryeministrin, vjen për shkak të mungesës së moralit politik që po tregon dega e PD-së në Fier”.

Zeqaj kujton edhe katër premtimet e fundit të pambajtura nga Kryeministri Sali Berisha. “Në vizitën e fundit të kryer zyrtarisht pranë Bashkisë së Fierit, në tetor të vitit 2008, Sali Berisha ka premtuar se do të ndërhyjë në katër projekte të mëdha. Bëhet fjalë për ndërhyrjen mbi mosndotjen e Gjanicës nga kompanitë e naftës, për përfundimin e rikonstruksionit të rrugës “Skënderbej”, për ndërtimin e pallatit të sporteve dhe për kalimin në varësi të bashkisë së ish-Pallatit të Oficerëve. Asnjë nga këto katër premtime nuk ka mbajtur”, thotë Zeqaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›