NARCISIZMI PATOLOGJIK
Në radhë të parë, disa fjalë për mitin e Narcisit, sa për të freskuar kujtesën. Narcisi (Zymbyli) ishte i biri i nimfës Liriope dhe i lumit Kefiso, ardhur në jetë nga një bashkim i papërmbajtur, nga një vërshim seksual i bukur ujor. Lindi kështu një djalë me një bukuri të jashtëzakonshme. Fatin e tij e pat parashikuar Tiresias, i cili tha se Narcisi kur të arrinte moshën e pjekur dhe të njihte bukurinë e vet, do të tretej nga zjarri i dashurisë për vetveten... Dhe ashtu ndodhi vërtet.
Prej këtij miti kanë buruar shumë vepra arti në pikturë, skulpturë, teatër, letërsi, kinematografi, psikanalizë. Por ajo që bie në sy më tepër është “çorientimi narcistik i personalitetit”, një sëmundje socialpsikologjike dhe mjaft e kohës. Rreth 1% e njerëzimit vuan prej kësaj sëmundjeje të rëndë, e cila pasojat e veta nuk i ushtron mbi vetveten, por në kurriz të të tjerëve (Shprehja e bukur popullore: Ti je sëmurë dhe mua më dhemb!). Simptomat e saj janë të dukshme: vështrim i përqendruar, qerpikët e syve nuk mbyllen, rrezatimi i vështrimit duket plot dritë, por në fakt është i shuar, lëviz zakonisht në mënyrë vertikale këmbën dhe kërcirin e djathtë deri në rrëzë të kofshës, harrim seksual, ngadalshmëri dhe rrokjezim i të folurit, perceptim i menjëhershëm armiqësor, këmbëngulje e thatë dhe e ashpër, tejzgjatje e të ngrënit, herë pas here i shoqërojnë fjalët e tyre me britma të kota, belbëzojnë kur janë vetëm, lexojnë poezi kryesisht klasike, mbajnë fjalime të zgjatura para pasqyrës, u pëlqen të zhvishen lakuriq, u pëlqen shoqëria me të njëjtin seks...
çfarë ndodh në të vërtetë?
Ndodh ajo që e vuajnë të tjerët. Këta njerëz bien në dashuri me vetveten, jo thjesht u pëlqen ajo, por ngaqë tërhiqen drejt qenies së tyre. Shenjë dalluese është madhështia (ose grandioziteti). Nuk është vetëm problem psikologjik, por shpejt kthehet edhe në sëmundje psikanalitike dhe patologjike, që mund të shërohet, por do kohë. Dhe e vetmja gjë që e shëron është ilaçi kundër ankthit, domethënë rreth një litër me çaj të nxehtë kamomili në ditë dhe pa sheqer...
çorientimi narcistik i personalitetit të njeriut është një mënyrë egocentrike e sjelljes, që shpërfaqet në të menduarit dhe në veprimet në një sërë situatash. Këta njerëz me çorientim narcistik të personalitetit nuk mundin dhe nuk duan ta ndryshojnë sjelljen e tyre dhe kjo u sjell pikërisht atyre probleme. Njerëzit që mbajnë përreth mund të ankohen për ta (me zë të plotë, ose me gjysmë zëri), por kjo vetëm sa u shkakton kënaqësi gati sublime. Nga ana tjetër hiqen sikur kanë pësuar ndjenja të papëlqyeshme, sepse arrijnë të fajësojnë gjithmonë të tjerët për problemet e tyre. Nuk pinë alkool, as janë narkotikë, porse mund të vihen fare lehtë nën vartësinë e tyre. Ndërkohë, vazhdimisht duken sikur janë nën vartësinë e këtyre faktorëve, pasi janë të nënshtruar nga përdhunimi dashuror ndaj vetvetes. Sëmundja e çorientimit narcistik të personalitetit lind në adoleshencë dhe rritet bashkë me njeriun.
E keqja kryesore është se njerëz të tillë bëhen politikanë në shkallën sipërore dhe artistë të kësaj shkalle. Rrallë ata bëhen edhe profesionistë të mëdhenj. Nga pikëpamja psikanalitike, e psikologjisë së personalitetit dhe e socialpsikologjisë, më e dhimbshme për njerëzit është kur kjo sëmundje shfaqet në brezin e politikanëve (për më keq të politikanëve të rinj!). Karakteristikat tipike të narcisizmit patologjik të politikanit të dashuruar me vetveten janë të shumta. Le t’i përmendim disa syresh dhe t’i krahasojmë me ato që ndodhin realisht.
Ky individ ka ndjenjën e ekzagjeruar të rëndësisë së vetvetes, zmadhohen arritjet vetjake, talenti i tij dhe njeriu (politikani) i tillë pret të çmohet si individ i epërm, “star”, flet vetëm për veten, sikur mban mbi supe përgjegjësi heroike, sikur vetëm ai mund të zgjidhë çdo gjë, ndërkohë që bashkëpunëtorët dhe kolegët janë krejt të paaftë e të pakomunikueshëm. Kulti i tyre për veten kthehet në paranojë. Duhet të kemi parasysh se narcisizmi patologjik nuk lind menjëherë dhe vetvetiu, por ngadalë e pa u ndjerë, si ujët nën rrogoz. Tek e fundit, si çdo sëmundje që ka arritur gjithnjë të shfaqet pa u dukur dhe më pas shpërthen. Suksesin e tij e quan të pakufizuar, se vetëm ai është brilant, i bukur, i shquar, i madh, i paepur dhe askush tjetër nuk i qaset dot. Konceptet e tij janë autarkike, madje edhe për njerëzit më të afërt. Ndërkohë, gjithkush tjetër që nuk është i veçantë dhe superior, nuk ka asnjë vlerë! Kështu, këta “të tjerë” duhet ta kuptojnë, t’i nënshtrohen, ta pëlqejnë, ta duan, ta ndjekin dhe ky vetë të shoqërohet me një status krejt të veçantë...
Politikani, artisti ose edhe profesionisti me sëmundjen e çorientimit narcistik të personalitetit, ose të narcisizmit patologjik kërkon të admirohet në mënyrë të veçantë, të vlerësohet, të çmohet, të dekorohet, të jetë i ndryshëm, t’i thuhet që çdo punë e tij është vetëm e kulluar dhe e shkëlqyer. Dëshirat e tij duhet të plotësohen patjetër, një përmbushje me trajtim të veçantë. Ai (ajo) përfiton me egoizëm nga përparësitë e të tjerëve për përmbushjen e synimeve të tij. Ky dhe pikërisht ky është një person që merr çdo gjë, pa e vrarë mendjen se sa u kushton kjo të tjerëve. Ky njeri ka një mungesë të theksuar të empathisë, domethënë nuk e ka dot ndjenjën për të jetuar me emocionet, vuajtjet, problemet, shqetësimet dhe gëzimet e tjetrit. Kjo sepse ndjenjat e tij janë krejtësisht ndryshe! Nga ana tjetër, “të tjerët” janë dashakeqës me të! Mos harroni që politikani i sëmurë me çorientimin narcistik të personalitetit paraqet sjellje arrogante, fodulle, ofenduese, dominuese, plot përbuzje për të tjerët.
Shkalla e rëndë e kësaj sëmundjeje paraqitet si në rastet tona tipike shqiptare, kur sjellja egocentrike rezulton me mohimin e miqve dhe njerëzve të familjes, dëmtimin serioz të njerëzve përreth, me abuzime, me shmangie të shumta nga detyrimet ndaj të tjerëve, me neglizhim dhe ofendime të hapura. Socialpsikologu amerikan, David G. Myers, (2004) për këtë shkruan: “Njerëzit me çorientim narcistik të personalitetit janë me trup të gjatë e të shkëlqyer, me fytyrë të bukur, flasin rrjedhshëm, nën ethet e fjalës dhe të dhunës sociale, detyruese dhe të dashuruar marrëzisht pas nënshtrimit të të tjerëve, deri në çastin kur kjo dashuri për vetveten i kthen në hi, pasi ka tretur e djegur qindra e mijëra të tjerë... Hitleri për shembull ka qenë i sëmurë i tillë...”.
Po sot? Po në vendin tonë? Po në politikën tonë?...