Kryebashkiaku i Londrës, gjobit Obamën me 200 dollarë

Kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, ka gjobitur presidentin amerikan, Barack Obama me 200 dollarë, për shkak të shkaktimit të rrëmujës në trafik në kryeqytetin britanik.
Incidenti ndodhi në maj të këtij viti, gjatë vizitës së Obamës në Londër, por hollësitë në shtyp janë publikuar vetëm tani.
Që nga viti 2003, ambasada amerikane në Britani të Madhe ka marrë gjoba në vlerë 8.7 milionë dollarë. Por, një burim në ambasadën amerikane ka shpjeguar se refuzojnë t`i paguajnë gjobat, pasi Konventa e Vjenës për marrëdhënie diplomatike ndalon shqiptimin e gjobave për personelin e ambasadës.
Sipas mediave britanike, ambasadave të huaja në këtë vend u janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 50 milionë funteve (rreth 57.5 milionë euro).