Kosovë: Buja “anulon” protestën për shaminë

Lëvizja “Bashkohu”, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se e ka anuluar protestën e paralajmëruar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej ditën e nesërme.
“Ky vendim, ka ardhur pas deklaratës së ministrit Ramë Buja, i cili ka deklaruar se lejimi i shamisë në shkolla publike është gjë e përfunduar dhe është çështje kohe. Ministri Buja ka dhënë premtimin se do ta modifikojë udhëzimin administrativ i cili e ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat publike të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes “Bashkohu”.
Shkak tjetër për anulimin e kësaj proteste, sipas Lëvizjes “Bashkohu”, është edhe protesta e paralajmëruar që të mbahet ne të njëjtën datë në oren 12:00, para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, e organizuar nga veteranët dhe invalidët e luftës .
Lëvizja “Bashkohu” përmes kësaj deklarate, i informon institucionet dhe opinionin e gjerë, se në rast se mbajtja e shamisë në shkollat publike të Kosovë nuk lejohet deri në fillim të vitit të ri shkollor ashtu siç ka premtuar edhe ministri i Arsimit, atëherë “ne do t`i përdorim të gjithë mekanizmat legjitim deri në realizimin e të drejtave tona”.