Kryebashkiaku i Selenices: Jam pjese e koalicionit qeverises

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, 30 km në lindje të Vlorës, Ilia Seferi, është pjesë e strukturave të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që do të vazhdojnë të mbeten në koalicion me Partinë Demokratike dhe që do të punojnë për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. "Koalicioni me Partinë Demokratike dhe maxhorancën aktuale është orientimi i natyrshëm për Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në funksion të objektivave të saj", tha z. Seferi. Ai kujtoi se "në zgjedhjet lokale në 2007, ne punuam dhe fituam bashkinë e Selenicës, ashtu si edhe mjaft njësi të tjera të qeverisjes vendore, duke qenë pjesë e koalicionit dhe e programit qeverisës me Partinë Demokratike". Sipas Seferit efektiviteti i përfshirjes në këtë koalicion kanë qenë investimet e shumta që janë realizuar në qytetin e Selenicës gjatë viteve të fundit, ku po realizohen projekte me një vlerë 10 herë më të lartë, krahasuar me periudhat paraardhëse. Për kryebashkiakun e Selenicës, qyteti që drejton po transformohet, ç'ka është dhe një ndër arsyet madhore sepse duhet qëndruar në krah dhe pjesë aktive e koalicionit të djathtë, i cili i ka treguar komunitetit të qytetit të Selenicës se fjalët nuk i ndan nga veprat. Duke mos hyrë në detaje për mënyrën se si u mor vendimi për aleancën zgjedhore 2009 të PBDNJ-së me koalicionin e majtë, Seferi i zgjedhur në strukturat drejtuese të PBDNJ-shit, thotë se i përket masës së madhe brenda kësaj partie që e kundërshtoi këtë aleancë dhe që do të vazhdojë të punojë duke qenë pjesë e koalicionit me PD-në. "Në zgjedhjet e 28 qershorit, ne do të mbështesim maxhorancën aktuale dhe do të punojmë për fitoren e saj", tha kryetari i bashkisë së Selenicës. Ilia Seferi u zgjodh për të dytën herë radhazi në krye të Bashkisë së Selenicës në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit të vitit 2007, duke përfaqësuar Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe koalicionin e djathtë.
...