Ne mandatin tone te dyte prioritet do te kemi punesimin

Fjala e plotë e kryeministrit Berisha me rastin e çeljes së fushatës nga Partia Republikane
Në emër të mazhorancës dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj ju republikanët, aleatët e shkëlqyer të Partisë Demokratike, për kontributin e madh që keni dhënë në këtë vend për ndërtimin e sistemit demokratik të bazuar mbi vlerat e tregut, për kontributin e madh që ju dhatë gjatë këtyre viteve në koalicionin dhe mazhorancën aktuale. Ky kontribut është nj element thelbësor i suksesit dhe arritjeve tona gjatë këtyre katër viteve.
Në mënyrë të veçantë, dua të falënderoj kryetarin tuaj z. Fatmir Mediu. Unë dua ta falënderoj me mirënjohje sepse jam dëshmitar i kontributit të veçantë dhe të rëndësishëm që kryetari juaj ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi, pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Fatmir Mediu ishte një nga të parët ministra dhe drejtues që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti, në një kohë kur besimet për të ishin në nivelet minimale.
Të dashur republikane dhe republikanë,
Mendoj se këto katër vite, në një koalicion të përsosur, ishin vitet e transformimeve më të mëdha të këtij vendi. Ne vijmë sot në Konventën tuaj, pasi kemi realizuar projekte të cilat katër vite më parë na dukeshin të largëta dhe që ishin vërtet shumë të vështira. Por në këto katër vite, me seriozitetin tonë, me përkushtimin tonë, me djersën tonë, me ndihmën e miqve tanë, ne bëmë që Shqipëria të jetë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave, anëtare e NATO-s. Ne në këto katër vite bëmë që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila vetëm për të hapur negociatat, për shkak të murit të krimit dhe korrupsionit që ndërtonte regjimi i më parshim, Shqipërisë i mori tre herë e gjysmë kohë më shumë se sa fqinjëve të saj. Ndërsa ne e firmosëm Marrëveshjen dhe në sajë të reformave të kësaj mazhorance, të këtij koalicioni, ajo u ratifikua nga 27 vende në kohë rekord dhe shumë më shpejt se sa vendet fqinje.
Jehona e reformave, rezultati i reformave të kësaj qeverie, ndryshime e mëdha që ne realizuam e bënë vendin gjithnjë e më të vlerësuar, gjithnjë e më të besuar dhe dëshmi e kësaj është që të 27 Parlamentet e vendeve të Bashkimit Evropian i bënë në një kohë rekord MSA-së; një tjetër dëshmi e saj është ratifikimi brenda tetë muajve, nga 26 parlamente të vendeve anëtare të NATO-s, Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; dëshmi e saj është performanca aktuale e ekonomisë shqiptare që qëndron sërish në krye të rritjes ekonomike. Kjo ekonomi qëndroi dhe qëndron e tillë sepse është e vendosur në shinat më të sigurta, se është ekonomi mundi, djerse, mendje, përkushtimi dhe serioziteti; kjo ekonomi qëndroi dhe qëndron sepse është e vendosur në standardet më liberale në Evropën dhe në botë; kjo ekonomi qëndroi dhe qëndron sepse është e bazuar në një luftë të egër dhe pa kompromis kundër korrupsionit; kjo ekonomi qëndroi dhe qëndron sepse ka garantuar standardet më të lira për tregun në Evropa dhe në botë.
Ne ia dolëm që në katër vjet të renditemi të dytët në botë për suksesin e klimës së biznesit, të renditemi më të mirët në Ballkan dhe në dhjetëshen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Siç theksoi edhe Kryetari i Asamblesë tuaj, zoti Godo, ne ia dolëm të çajmë tunelin, të hapim rrugën dhe rruga është projekti më i madh i shqiptarëve. Rruga është me shumë dimensione. Ata që e penguan ndërtimin e rrugës tetë vite më parë, e penguan me një armiqësi të hapur me interesat e shqiptarëve, ndërsa ne u themeluam dhe u konsoliduam si parti e interesit kombëtar. Për ne vizibiliteti kombëtar është përparësi e të gjitha vizibiliteteve. Ne do t’ua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës qytetarëve shqiptarë. Ne nuk do të lëmë tunel pa hapur dhe nuk do të lëmë grykë pa çelur në mënyrë që shqiptarët në një shpejtësi maksimale të vijnë në kryeqytetin e tyre nga Tepelena, Korça, Dibra dhe mbarë Shqipëria. Ne nuk kemi fjalë, por kemi vepra të faktuara.
Të dashur republikane dhe republikanë,
Dua t’ju them se kënaqësia ime më e madhe e gjithë kësaj përpjekje të përbashkët qëndron diku tjetër. Kënaqësia qëndron në faktin se këto suksese, edhe të karakterit historik, jo vetëm që nuk po e bllokojnë dhe nuk po e zbehin shikimin, vështrimin dhe përqendrimin për hallet dhe dertet e këtyre qytetarëve, por më bëjnë të mendoj çdo ditë e më shumë për to.
Unë jam këtu për t’u zotuar se e tërë përpjekja jonë e madhe dhe të gjithë reformat që ne ndërmarrim kanë vetëm një synim; se si të ndryshojmë për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë.
Ne kemi një aleancë të përsosur me ju republikanët, sepse aleanca jonë bazohet mbi vlerat e vërteta që besojmë, bazohet mbi parimet që zbatojmë, bazohet në themelin që ne kërkojnë të vëmë për sistemin tonë; vlerën e familjes, vlerën e punës, vlerën e pronës.
Ju sot vini krenare me kontributin tuaj të madh që keni dhënë për një nga çështjet më themelore, sepse prona është një nga çështjet më themelore të një rendi shoqëror. Ju keni një program të shkëlqyer, por keni ditur dhe të bëni kompromis në emër të më të madhes, keni sakrifikuar më të voglën, sepse vetëm kështu ecet. Dhe cili është bilanci? Sot bilanci është: mbi 700 mijë familje të pronësuara nga ky koalicion që nga viti ’92 e deri më sot. Nuk e mohoj që janë mijëra e mijëra dosje ende të pa zgjidhura, ndaj dhe të zotohemi sot së bashku se do të rendim pas gjithë secilës prej tyre, sepse në kemi moralin, kemi përkushtimin dhe kemi zotimin të shkojnë në zgjidhjen e secilës prej tyre.
U ndeshëm me një mal falsifikimesh, të cilat mbartin në vetvete grabitje dhe plaçkitje të mëdha. Po i çmontojmë një nga një, por këtu duhet gjakftohtësi dhe durim. Në qoftë se angazhohemi t’i çojmë këto dosje deri në fund, nuk duhet të harroni se gjejmë pengesa që shtrihen dhe vetë familje, por kjo nuk do të thotë që shteti të hesht dhe që qeveria jonë nuk do të merret më këto probleme. Unë ju garantoj ju se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë.
Ne shkojmë drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk e kërkojmë votën tuaj për ato që kemi bërë, por qytetarët shqiptarë kanë nevoja, nga ky horizont ata shohin një tjetër horizont dhe kërkojnë nga ne që ne ta kapim atë horizont dhe ta shndërrojmë në realitetin më të mirë për ta. Pra, së bashku me ju, në katër vitet që vijnë dhe aleatët tanë Shqipëria do të ndryshojë se paku katër herë më shumë nga sa ndryshoi këto katër vitet që lëmë pas.
Sërish ndryshimi duhet nga vetja jonë. Atë që unë deklarova në Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike e deklaroj edhe këtu se zyrtarët do të jenë në dietën më të rreptë se kurrë në historinë e këtij vendi. Ju mos mendoni se vlera 20, 30 apo 100 milionë euro në vit s’është kaq e rëndësishme, sepse vlera morale e këtij veprimi bën që ky vend të ketë miliarda më shumë. Ndaj edhe ne në Parlamentin e parë do të votojmë ligjet për dietën e qeverisë dhe për dietën e zyrtarëve. Ne do të vazhdojmë të konsolidojmë revolucionin tonë fiskal. Ne besojmë i besojmë lirisë dhe magjisë së saj. Të kujtojmë se ku ishim ne njëzet vjet më parë? Mbrëmë po i tregojë një mikut tim, kongresmenit Robert Aderhold, se u bëra President me pagë 16 dollarë. Por, si u bë Shqipëria keshtu siç është sot? Liria e bëri Shqipërinë, pasioni ynë për lirinë dhe besimi ynë për lirinë.
Edhe një herë ju uroj suksese dhe pres me pa durim të vazhdojmë së bashku qeverisjen, të vazhdojmë së bashku përpjekjen tonë për qytetarët shqiptarë, të vazhdojmë ndërtimin e asaj Shqipërie që pret çdo shqiptar; ndërtimin e Shqipërisë evropiane, Shqipërisë sonë në Evropë dhe të ëndrrës më të bukur që nga rilindësit tanë deri më sot
...