E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe e nis me tre rikthime dhe tre grumbullime të reja

 

Leonard karaj

E nis me surpriza aventurën e tij me Kombëtaren shqiptare Josip Kuzhe. Një listë e gjatë prej 27 emrash ku bien në sy rikthime por edhe debutime. Kuzhe ka bërë publike dje listën e futbollistëve për dy ndeshjet e radhës, atë të 6 qershorit kundër Portugalisë për eliminatoret e Botërorit 2010 dhe atë miqësore kundër Gjeorgjisë që do të zhvillohet më 10 qershor. Kroati, i cili do të bëjë premierën e tij në stolin e ekipit shqiptar, ndryshe nga parardhesi i tij, Arie Haan, ka rikthyer në skuadër sulmuesit Erjon Bogdani e Edmond Kapllani si dhe mesfushorin Jahmir Hyka.
Po ashtu, Kuzhe ka preferuar të grumbullojë për dy ndeshjet e radhës disa prej futbollisteve të spikatur të kampionatit shqiptar, si Elis Bakaj, Gjergj Muzaka, Emilian Vila, Jetmir Sefen si dhe ka konfirmuar golashënuesin më të mirë të Superligës, Migen Memellin. Sipas shefit të zyrës së shtypit pranë FSHF-së, Tritan Kokona, trajneri Kuzhe ka preferuar të ketë sa më shumë lojtarë në dispozicion për të njohur më mirë formën e tyre. “Lista është shumë e gjatë, dhe nuk mendoj se ka ngelur dikush, u përjashtua ose, ka ardhur dikush tjetër. Sigurisht kjo nuk është lista e tij përfundimtare, është lista e tij e parë. Pra, ai do të njohë skuadrën dhe gradualisht do të bëjë sigurisht dhe zgjedhjet e veta”, bëri të ditur Kokona. Gjithashtu, Kuzhe ka bërë publik dhe emrat e bashkëpunëtoreve të tij. Kështu, zëvendëstrajner do të jetë një tjetër kroat, Dzemal Mustedanagiç, ndërsa trajner i portierëve do të jetë Ilir Bozhiqi. Për momentin është hedhur poshtë ideja e kërkuar deri ditën e hënë nga vetë trajneri i Kombëtares që Mustedanagiç të emërohej si trajner i Shpresave të Shqipërisë në vend të teknikut aktual, Artan Bushati. Presidenti i federatës, Armand Duka nuk ka pranuar që të zëvendësojë Bushatin duke i lënë hapësirë Mustedanagiç që të përfshihej në stafin e Kombëtares. Mësohet gjithashtu se edhe pjesa tjetër e stafit, mjeku, fizioterapisti dhe sigurisht edhe përkthyesi do të jenë shqiptarë, pikë kjo e vendosur edhe në kontratën e nënshkruar nga palët. Mungon në këtë grumbullim vetëm kapiteni Altin Lala i cili është i dëmtuar.

Kombëtarja shqiptare

Portierë: Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Samir Ujkani (Palermo, Itali), Enea Koliqi (Iraklis, Greqi)
Mbrojtës: Debatik Curri (Vorskla Potlava, Ukrainë), Armend Dallku (Vorskla Potlava, Ukrainë), Kristi Vangjeli (Aris Selanik, Greqi), Andi Lila (Tirana), Elvin Beqiri (Vllaznia), Ansi Agolli (Tirana), Endrit Vrapi (Elbasani), Admir Teli (Karabag, Azerbajxhan)
Mesfushorë: Lorik Cana (Marsejë, Francë), Ervin Skela (Energie Cottbus, Gjermani), Ervin Bulku (Krivbas, Ukrainë), Gilman Lika (Haxhettepe, Turqi), Dorian Bylykbashi (Krivbas, Ukrainë), Jahmir Hyka (Mainz, Gjermani), Klodian Duro (Omonia, Qipro), Elis Bakaj (Dinamo), Gjergj Muzaka (Tirana), Emilian Vila (Teuta), Jetmir Sefa (Tirana)
Sulmues: Erjon Bogdani (Chievo, Itali), Hamdi Salihi (SV Ried, Austri), Edmond Kapllani (Karlsruher, Gjermani), Besart Berisha (AC Horsens, Danimarkë), Migen Memelli (Tirana)
Trajner: Josip Kuzhe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›