E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kater spitale private ne process ndertimi dhe licensimi

Subjektet e interesuara duhet të plotësojnë të gjitha kriteret për hapjen dhe funksionimin e një spitali 

Sektorit shëndetësor privat në vendin tonë pritet t’i shtohen dhe katër spitale të rinj, të cilët janë në proces ndërtimi dhe licencimi. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, tre prej këtyre spitaleve do të jenë në Tiranë dhe tjetri në Durrës. MSH konsideron tregun privat si një element komplementar në sistemin shëndetësor shqiptar, ndërsa me nisjen e reformës spitalore pritet që gradualisht edhe spitalet private të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Dikasteri i Shëndetësisë ka përcaktuar qartë kriteret për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një spitali, të cilat janë miratuar dhe nga Këshilli i Ministrave. Përsa i përket tarifave të kërkesës për marrjen e lejes për hapjen e një spitali, MSH bën të ditur se ajo është e pakthyeshme me vlerë prej 5 000 lekë dhe përbën kusht refuzues të kërkesës në rast të kundërt. Sipas MSH, subjekti që kërkon të hapë një spital, të zgjerojë ose të transformojë një spital ekzistues, për marrjen e lejes së funksionimit  të tij duhet të paraqesë pranë këtij dikasteri kërkesën përkatëse, e cila shoqërohet me formularin e autodeklarimit. Subjekti i regjistruar si person juridik, me aktivitet në fushën e shëndetësisë duhet të plotësojë disa kritere higjeno-sanitare, për mbrojtjen kundër zjarrit, etj. Ai duhet të jetë i licencuar për rrezatimin jonizues në rast se spitali ofron shërbimin e radiologjisë, si dhe regjistrimin në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave si prodhues i mbetjeve spitalore. Lidhur me vërtetësinë e informacionit të deklaruar në Formularin e Autodeklarimit dhe të dokumentacionit teknik shoqërues, MSH ndërmerr dhe një kontroll verifikues. Spitali ka një mision të përcaktuar qartë dhe duhet të zbatojë politika dhe procedura të shkruara mbi të drejtat e pacientëve, të cilat i shpërndan dhe/ose afishon në vende të dukshme. Ky institucion ka një plan të përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë së pacientëve, si dhe zbaton një program për të ulur rrezikun e infeksioneve spitalore. Gjithashtu, spitali deklaron dhe zbaton protokollet e kërkimit shkencor që përfshijnë subjektet njerëzore, vetëm pasi ato janë rishikuar dhe aprovuar nga Komiteti Kombëtar i Etikës. Spitali ka një procedurë, sipas së cilës i përgjigjet të gjitha nevojave emergjente brenda spitalit 24 orë në ditë, përfshirë personelin e kualifikuar, barnat e nevojshme, (duke nënkuptuar venndodhjen e tyre, tipet dhe sigurinë)  si dhe pajisjet e kërkuara. Në rast të mosplotësimit të kërkesave, Ministri i Shëndetësië shfuqizon lejen e hapjes së spitalit (licencën) në çdo kohë, në zbatim akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë shërbimin e kujdesit spitalor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›