“Një kumarxhi për Kombëtaren e trukimeve”
Vë menjëherë gishtin në plagë, aq sa duket sa mezi pret që ta pyesim. Për të trajneri i ri i Kombëtares është i paragjykuar që në nisje, ende pa e parë sesi drejton skuadrën në fushën e lojës. Këtë gjë ai e lidh me të shkuarën e Josip Kuzhesë. Fakti që kroati ka pasur probleme me kumarin dhe për më tepër fakti që edhe skuadra e Kombëtares shqiptare është përfolur disa herë për trukime ndeshjesh, sipas tij përbën një gafë të madhe të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk e di sesi një federatë si kjo jona arrin të punësojë një trajner me një të shkuar të lidhur me kumarin. Të gjithë e dinë se kush është Kuzhe dhe sesa “i dashuruar” është ai me kumarin. Tani një ekip kombëtar si ky yni që thuasje çdo sezon kualifikimesh përflitet për shit-blerje ndeshjesh shkon e emëron si teknik një person me një të shkuar të tillë. Është tamam si t’ia varësh ujkut mëlçitë në qafë”, ironizon Sulejman Starova gjatë një interviste për gazetën “Panorama”. Gjithsesi tekniku i vetëm që nisi dhe bitisi sezonin 2008-2009 në Superligë pa u shkarkuar ose dorëhequr uron që përsa më sipër të gabohet. “Realisht ende pa e parë në veprim nuk mund të gjykojmë për mirë ose për keq edhe pse unë e kam thënë edhe më parë se nuk ka trajner të huaj që me këtë skuadër të mund të bëjë progres. Nuk është se të huajt kanë bërë kushedi se çfarë përkundrejt trajnerëve shqiptarë në krye të Kombëtares veç faktit se kanë marrë ca para më shumë”, vazhdon Starova.
Një nga kritikët e emërimit në krye të kombëtares së një trajneri të huaj Starova mbron tezën se trajnerët shqiptarë kanë arritur pjekurinë e duhur për të drejtuar ekipin përfaqësues edhe me më pak para sakundër paguhen të huajt duke pohuar se edhe ai do ta kishte pranuar postin e trajnerit nëse (duke qeshur) nuk do të ishte në armiqësi me drejtueist aktualë të FSHF-së. “Sigurisht, madje edhe me më pak para se trajnerët e huaj që kanë drejtuar kombëtaren dhe këtë gjë e kam thënë haptazi. Por unë jam në armiqësi me drejtuesit e federatës ndaj nuk ka shans që të drejtoj unë këtë skuadër”.
Por kombëtarja nuk është e vetmja temë që prek Starova. Largimi “i butë” nga Teuta e Durrësit, tolerimet e skuadrave në fund të kampionatit si dhe marrëdhëniet me drejtuesit e skuadrës së Tiranës janë disa nga pyetjet të cilave ai u ka dhënë përgjigje në mënyrën më të veçantë, atë “alla Starova”. “Arsyeja e vërtetë pse jam larguar nga Teuta është krejt personale. Dua të merrem me familjen time me pronat e mia. Por duke u marrë me punën e trajnerit nuk do të kem kurrë kohë të mjaftueshme që të merrem me këto gjëra. Ndërsa Tiranën e kam provuar disa herë. Lashë federatën dhe shkova ta drejtoj atë skuadër. Dola kampion. Ika. U riktheva sërish sepse mu premtua nga ana e donatorëve se ata kishin ndryshuar në filozifinë e drejtimit të klubit, por shumë shpejt pashë se nuk ishte ashtu. Për mua donatorët e Tiranës nuk dinë të drejtojnë. Është fakt që në vetëm këto tre-katër vitet e fundit aty janë ndërruar 14 trajenrë. Ose mjaft të shikosh sivjet që e mbyllën sezonin pa trajner. Pra me ata është e kotë që të mendosh se mund të punosh”, thumbon drejtuesit bardheblu Starova. l.k.