E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Tiranes prezanton nenkryetarin e ri te Bashkise

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka prezantuar sot zëvendës kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, zotin Petrit Vasili.  Kryebashkiaku Basha theksoi se qeverisja e Tiranës, me ardhjen e zotit Vasili, merr një potencial të jashtëzakonshëm për avancimin e objektivave të Bashkisë së Tiranës, siç është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Ardhja e një personaliteti kaq të spikatur të jetës publike dhe politike të vendit, e një profesionalisti të përkushtuar prej dekadash, të një menaxheri të shkëlqyer, jo vetëm të krizave por edhe të rritjes së qëndrueshme të një sektori kyç, siç është ai i shëndetësisë është një lajm jashtëzakonisht i mirë, për qeverisjen e Tiranës si dhe një mbështetje e fortë për objektivat madhorë, me të cilët po përparojmë dita-ditës”, vuri në dukje Basha. 
Për zëvendëskryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, zotin Petrit Vasili, puna në këtë institucion nuk krahasohet me funksionet e mëparshme. Emërimin në këtë detyrë, zoti Vasili, e sheh si mundësi për të punuar për qytetin ku është lindur, rritur dhe jeton. 
“Kam sigurisht një ndjesi që nuk e kam provuar më parë, për një arsye shumë të thjeshtë, kam shërbyer në detyra që kanë pasur të bëjnë me ekzekutivin shtetëror, por që t’i shërbej qeverisjes së qytetit ku kam lindur, rritur dhe sigurisht do jap edhe frymën e fundit, është sigurisht një emocion që nuk krahasohet me asnjë tjetër”, u shpreh Vasili. 
Njëkohësisht, ai shprehu përkushtimin e tij për realizimin e objektivave të Bashkisë që lidhen me përmirësimin e cilësisë së jetës, zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit. 
“Ky ekip, ky lider dhe kjo filozofi, sigurisht është ajo që Tiranës i është dashur dhe për të cilën, gati një vit më parë, punuam së bashku për t’u bërë të qartë qytetarëve të Tiranës, se ç’duhej bërë. Sot kemi rezultatet e para të prekshme, por ne ditët  dhe vitet që do të vijnë, rezultatet do të jenë akoma më spektakolarë”, vlerësoi Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›