BB-ja: Shqipëria, ekspozim mesatar ndaj krizës ekonomike
Vendi ynë klasifikohet në grupin e shteteve me hapësira të ulëta fiskale. IFC-ja, BERZH-i dhe IDA, nisin kreditimin e vendeve të varfra
Shqipëria klasifikohet tek ato vende që kanë një ekspozim të moderuar ndaj krizës botërore. Një raport i Bankës Botërore, thotë që vendi ynë ka hapësira të vogla në lehtësimin e barrës fiskale dhe shpenzimeve. Rreth 40% e vendeve në zhvillim janë shumë të ekspozuara ndaj efekteve të varfërisë së krizës, rënie të rritjes dhe rrije të nivelit të varfërisë. Rreth 56% e vendeve, ku përfshihet edhe Shqipëria, ekspozohen ndaj riskut në mënyrë të moderuar, ndërsa pjesa tjetër pritet të përballen me një risk të ulët. Sipas Bankës Botërore, kapaciteti i qeverive për të menaxhuar impaktet e krizës tek varfëria, varet nga kapaciteti fiskal që mund të shkaktojë një rritje të deficitit fiskal dhe nga kapacitetet institucionale për të zbatuar programet që synojnë zbutjen e varfërisë si pasojë e krizës. Kapaciteti fiskal tregon se cilat vende do të përballen me vështirësi në rritjen e shpenzimeve për të përballuar krizën dhe pak ose fare tolerancë për deficit më të lartë fiskal. Shqipëria klasifikohet tek vendet me kapacitet të ulët fiskal, por me ekspozim në nivel mesatar ndaj krizës ekonomike. Kështu, qeveria jonë nuk ka shumë hapësira për të lejuar një deficit të lartë fiskal dhe i duhet të jetë me konservatore ndaj shpenzimeve, veçanërisht në një vit elektoral, siç është 2009-a. Vendi ynë renditet në klasifikim me Argjentinën, Turqinë, Egjiptin, etj. Ndërsa vende të rajonit si, Bosnje e Hercegovina, klasifikohen si vende me hapësira mesatare fiskale, ku u lejohen të rrisin shpenzimet deri në një farë niveli. Kriza ekonomike, sipas Bankës Botërore, pritet të japë ndikimin më të madh tek shtresat e varfra dhe në periudhë afatmesme, edhe tek ato familje, të cilat nuk kanë kapacitet për t'u përballur me të. Vetë drejtori i BB-së, Robert Zoellick, tha se kriza ekonomike rrezikon të kthehet në krizë humane në shumë vende në zhvillim, nëse ato nuk marrin masa për të mbrojtur shtresat e dobëta. Institucione financuese të lidhura me bankën, si IFC-ja, BERZH-i e IDA, po hartojnë programe për financime në sektorë dhe shtresa të veçanta në mjaft vende. IFC-ja parashikohet të lëvrojë rreth 30 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për sektorin privat. IDA po shpejton procedurat e lëvrimit të një fondi prej dy miliardë dollarësh, pjesë e një programi me vlerë 42 miliardë dollarësh, në sektorë si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, etj. Ndërsa BERZH-i, për tre vitet e ardhshme mund të kreditojë deri në 100 miliardë dollarë, ku vetëm gjatë 2009-ës, vlera mund të jetë rreth 35 miliardë.