E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryefamiljarët, ndryshojnë procedurat e regjistrimit për punëtorët e shtëpisë



Ndryshojnë procedurat e regjistrimit për kryefamiljarët që duna të punësojnë punëtor shtëpie. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, kryefamiljarët, që punësojnë persona, si punëtorë shtëpie, i rregullojnë marrëdhëniet e punës, nëpërmjet një kontratë me shkrim, ndërmjet palëve, ku përveç të tjerave shënohen, detyrimisht, numri i sigurimit shoqëror të personit të punësuar, koha e fillimit të punës, zgjatja e saj “me ose pa afat”, si dhe paga mujore bruto. Në këtë rast, kryefamiljari përcaktohet në rolin e punëdhënësit dhe si i tillë ka detyrimin për regjistrim në organet tatimore dhe për pajisjen nga këto organe me numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-i). Ndërsa sipas vendimit të mëparshëm, kryefamiljari kishte detyrimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Tashmë regjistrimi dhe çregjistrimi nga organet tatimore bëhen sipas një procedure të thjeshtuar, që përcaktohet me udhëzim nga ministri i Financave. Të punësuarit, që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie, në familjet e të tjerëve, sigurohen në mënyrë të detyrueshme vetëm për degën e pensioneve. Punëtorë shtëpie janë personat, që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla, si kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, rojë, administrator shtëpie, asistent për të moshuarit apo dhe në shërbime të ndryshme, të kësaj natyre. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, është 1200 lekë në muaj.
Kontributet e sigurimeve shoqërore, për personat e punësuar si punëtorë shtëpie, paguhen nga kryefamiljari, i përcaktuar si punëdhënës, në llogaritë bankare, të përcaktuara sipas procedurave, të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël. Këta persona, sikurse dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbim, ambulante, pajisen me librezën e kontributit, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, të cilat janë të detyruara ta plotësojnë në vijimësi, në bazë të kontributeve të paguara, dhe vlerësohen të siguruar, për efekt mbrojtjeje nga sigurimet shoqërore, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës. Në këtë rast në librezë shënohet “Të siguruar vetëm për pension”.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›