Procedurat tatimore, ndryshon forma e kontrollit dhe e gjobitjes për subjektet
Ervin KOÇI
Administrata tatimore do te ketë më tepër kompetenca në kontrollet dhe hetimet që do të bëjë ndaj bizneseve private, por dhe ndaj punonjësve të saj që abuzojnë me detyrën. Qeveria ka vendosur që me anë të disa ndryshimeve dhe modifikimeve që do ti bëhen ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ti jepet më tepër hapësirë organeve tatimore për kontrollet si ndaj subjekteve private ashtu dhe ndaj strukturave të vet administratës. Ndryshime të tjera që i janë bërë këtij ligji kanë të bëjnë edhe me mënyrën se si do të bëhet regjistrimi i subjekteve private pranë organeve tatimore, proces i cili do të jetë vetëm në rrugë elektronike. Po kështu ndryshimet parashikojnë dhe gjoba apo sanksione të tjera administrative dhe penale për të gjithë ata subjekte që fshehin në forma të ndryshme deklarimin e të dhënave te organet tatimore. Në ligj janë përcaktuar dhe rregulluar edhe format e vendosjes së gjobave nga ana e tatimorëve, si dhe mënyra se si do të paguhen ato.
Regjistrimi
Në ligjin “Për procedurat tatimore” rregullohet dhe forma e regjistrimit të personave që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jotregtare. Ligji përcakton se: “Për personat, ‘të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulant’ dhe ‘kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie’, regjistrimi për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore ose çregjistrimi i tyre kryhet nga organet tatimore, sipas një procedure të veçantë, të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave”. Këshilli i Ministrave përcakton edhe afatet kohore për dorëzimin e deklaratave tatimore e të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”. Shuma e detyrimit tatimor, e detyrueshme për t’u paguar, sipas deklaratës tatimore, me vlerë deri në 100 (njëqind) lekë, vlerësohet si detyrim me vlerë zero dhe për shuma të tilla nuk bëhet vlerësim tatimor nga administrata tatimore”.
Mosdeklarimi i të punësuarve
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit, rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 24 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë prej 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, kur është subjekt i biznesit të vogël, dhe 100.000 (njëqind mijë) lekë, për biznesin e madh me TVSH-ë, për çdo rast mosdeklarimi.
Gjobat
Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 % të detyrimit tatimor. Kjo gjobë zbatohet edhe ne rastet kur tatimpaguesi ndryshon deklaratën fillestare, sipas kërkesave të nenit 67, të këtij ligji.
14 Dhjetor 2009