Pensionet, periudhat e prapambetura do të njihen si vite sigurimi për të vetëpunësuarit
Jonida Tashi
Periudhat e prapambetura, për të cilat, të vetëpunësuarit në bujqësi nuk kanë paguar kontribute, do të njihen si vite sigurimi për pension. Vendimi për njohjen e viteve të kaluara, si periudha sigurimi për efekt pensioni është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, të zhvilluar pasditen e së premtes. Në këtë mbledhje, midis disa vendimesh të tjera, qeveria ka vendosur që në vendimin nr.1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave “Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993 ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, nr.9136, datë 11.9.2003 ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.7870, datë 13.10.1994 ‘Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, të bëhen disa shtesa e ndryshime.
Periudhat
Periudhat e prapambetura, që do të njihen si vite sigurimi për pension fillojnë që nga data 1.10.1993 deri në datë 1.5.2004, për të cilat, të vetëpunësuarit në bujqësi kanë paguar kontribute deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, pavarësisht nga vendbanimi në kohën e kryerjes së pagesës. Po ashtu, do të njihen si vite sigurimi edhe periudhat nga data 1.9.1995 deri në datë 1.5.2004, për të cilat, të vetëpunësuarit në bujqësi kanë paguar kontribute deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, pavarësisht nga vendbanimi në kohën e kryerjes së pagesës, për rastet, kur toka është blerë, sipas ligjit nr.7983, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e tokës bujqësore, livadheve dhe kullotave”, si dhe për rastet, kur toka është marrë me qira, me akt noterial. Sipas vendimit të mëparshëm, të vetëpunësuarit në bujqësi duhet të paguanin kontributet, për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse ishin të pasiguruar për vitet pararendëse. Ndërsa periudhat, për të cilat nuk ishin paguar kontributet, nuk njiheshin si periudha sigurimi.
Dokumentet
Për njohjen e periudhave të sigurimit shoqëror, të vetëpunësuarit në bujqësi duhet të paraqesin këto dokumente: Vërtetimin nga komuna/bashkia se i interesuari ka tokë në pronësi ose në përdorim, duke cilësuar dhe datën, kur është përfituar kjo tokë; Certifikatën e gjendjes civile (në rastet e largimit të shënohet dhe data e çregjistrimit nga regjistri i gjendjes civile); Vërtetimin nga komuna/bashkia se për këtë periudhë ka ushtruar veprimtari, bujqësore e blegtorale. Për këtë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të nxjerr aktet për trajtimin e të gjitha kërkesave të refuzuara për pension, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pas daljes së këtij vendimi, pritet që mjaft personave që iu është “djegur” e drejta e përfitimit të pensionit, për shkak të mosderdhjes se kontributeve, ta ligjërojnë të drejtën për pension, nëse kryejnë pagesat e përcaktuara.
Si bëhet pagesa e kontributeve
Pagesa e kontributeve dhe e interesave të lidhura me to kryhet nga punëdhënësit dhe nga të vetëpunësuarit, sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokument bazë për pagesën e tyre është deklarata, njoftim i rivlerësimit dhe çdo dokument tjetër ligjor, i miratuar për këtë qëllim. Të vetëpunësuarit në bujqësi i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore individualisht, një herë në tre muaj. Afati i pagesës së kontributeve është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi mund t’i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore, pavarësisht nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Instituti i Sigurimeve Shoqërore furnizon punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit me librezat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të cilën e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore. Për të vetëpunësuarit dhe pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, libreza e kontributeve plotësohet dhe vërtetohet nga strukturat vendore, të autorizuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në tremujorin pasardhës, të vetëpunësuarit, pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante dhe të vetëpunësuarit në bujqësi vlerësohen të siguruar, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës.
Masa e kontributeve vjetore dhe mujore për të vetëpunësuarit
Të vetëpunësuarit në bujqësi, duke filluar që nga data 1 maj 2009 e në vazhdim, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9360 lekë. Masa e kontributit mujor që duhet të derdhin të vetëpunësuarit në bujqësi, për sigurimet e detyrueshme shëndetësore është në masën 5 për qind të shumës 5600 lekë në muaj, për zonat fushore, ndërsa në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, kontributi është në masën 3 për qind të shumës 5600 lekë në muaj.
Dokumentet për njohjen e periudhave të sigurimit shoqëror
Për njohjen e periudhave të sigurimit shoqëror, të vetëpunësuarit në bujqësi duhet të paraqesin këto dokumente:
Vërtetimin nga komuna/bashkia se i interesuari ka tokë në pronësi ose në përdorim, duke cilësuar dhe datën, kur është përfituar kjo tokë;
Certifikatën e gjendjes civile (në rastet e largimit të shënohet dhe data e çregjistrimit nga regjistri i gjendjes civile);
Vërtetimin nga komuna/bashkia se për këtë periudhë ka ushtruar veprimtari, bujqësore e blegtorale.
14 Dhjetor 2009