Kundërvajtjet administrative nga subjektet, në përdorimin e pajisjeve fiskale
Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, si dhe tregtar, dënohet në rast se: a) nuk instalon pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë: 1. herën e parë të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, për të cilën është përcaktuar një afat vendosjeje deri në 10 ditë pune, me gjobë, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë; 2. herën e dytë, të konstatimit të mosinstalimit të pajisjes fiskale, pas mosrespektimit të afatit të parë10-ditor, e kur për këtë pajisje është përcaktuar një afat vendosjeje tjetër deri në 10 ditë, pas vendosjes së gjobës së parë, sipas shkronjës “i”, me gjobë, në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë; 3. pas kësaj periudhe, sipas shkronjës “II”, me pezullim të veprimtarisë deri në 6 muaj; 4. në rastet e mosvendosjes së pajisjes fiskale, me mbyllje të plotë të veprimtarisë. b) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për çdo rast: 1. për herën e parë me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë; 2. për herën e dytë me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë; 3. për herën e tretë me mbyllje të veprimtarisë për 6 muaj; c) lëshon një biletë, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj për kuponin tatimor, me gjobë, në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; ç) lëshon kupon tatimor, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar, me gjobë, në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; d) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster, që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit, për të kërkuar kupon tatimor, me gjobë, në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë; dh) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në mjedisin e ofrimit të mallrave apo të shërbimeve, me gjobë, në masën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë; e) nuk bën faturë për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve të ofruara, me dënim sipas përcaktimeve të nenit 124, të këtij ligji; ë) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave, me dënim sipas përcaktimeve të nenit 118, të këtij ligji; f) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë, në rastet kur ky ligj e parashikon si detyrim, me gjobë, në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë; g) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale, me gjobë, në masën 80.000 (tetëdhjetë mijë) lekë: gj) nuk njofton menjëherë për defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve, me gjobë, në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. 2. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljeve të parashikuara në këtë nen bëhen nga organet tatimore të juridiksionit, ku tatimpaguesi ushtron veprimtarinë ose kryen shkeljet. 3. Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të përdorura në sektorë të ndryshëm si, transport, turizëm, art, kulturë, etj dënohet me gjobë, në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë për çdo biletë”.
Mirëmbajtja e kasave fiskale, dënimet për shoqëritë e autorizuara dhe të paautorizuara
Subjektet tatimpaguese, të cilat tregtojnë apo mirëmbajnë pajisje fiskale te subjektet e tjera tatimpaguese, pa qenë të licencuara nga ministri i Financave, dënohen me gjobë, në masën 1.000.000 (një milion) lekë, ndërsa shoqëritë, që blejnë dhe përdorin pajisje të tilla fiskale, dënohen me gjobë, në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe sekuestrim të pajisjes fiskale. Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë t’ia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet, kompjuterike dhe fiskale, si dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij.
14 Dhjetor 2009