E Diel, 1 Nëntor 2026

Investigimi tatimor, si do të funksionojë drejtoria e re Antikorrupsion



Në ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për procedurat tatimore” janë përmirësuar edhe strukturat dhe funksionet e Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm (Antikorrupsion) dhe të njësive të hetimit tatimor. Drejtoria e Investigimit te Brendshëm dhe njësitë e hetimit tatimor janë struktura të specializuara zbulimi, hetimi dhe zbatimi në administratën tatimore qendrore. Kjo Drejtori dhe njësitë e hetimit tatimor kanë si mision parësor: a) parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprimeve të administratës tatimore, të cilat mund të përbëjnë vepra penale; b) mbledhjen e informacionit nga burime të ndryshme, për veprimtaritë e punonjësve të administratës tatimore qendrore, të cilat mund të përbëjnë vepër penale; c) bashkërendimin e punës me prokurorinë, si hallkë ndërmjetëse, për vazhdimin e plotë të hetimit; ç) shërbimin, si pikë kontakti, ndërmjet administratës tatimore dhe institucioneve të tjera, që kanë si funksion luftën ndaj korrupsionit. Punonjësit e DIB-së gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore. Punonjësit e DIB-së dhe ata të njësive të hetimit tatimor, që ushtrojnë funksionet e parandalimit, të zbulimit, ndjekjes dhe hetimit të plotë të veprave korruptive, pajisen me armë, në përputhje me legjislacionin e fushës. Miratimi i lejes jepet nga Ministria e Brendshme, vetëm pas autorizimit të lëshuar nga ministri i Financave. Detyrat dhe funksionet e DIB-së dhe të njësive të tjera miratohen me vendim të KM-së.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›