Kryeministri Berisha priti Kardinalin Angelo Bagnasco
Kryeministri Berisha priti mbrëmë në takim Kardinalin Angelo Bagnasco, President i Konferencës Ipeshknore të Italisë, Arqipeshkop Metropolit i qytetit të Genovës në Itali, një nga personalitetet më të shquara dhe me prestigj në gjirin e Selisë së Shenjtë në Vatikan.
Kardinali Angelo Bagnasco ndodhej në Shqipëri për të marrë pjesë në inagurimin e hapjes me mbështetjen e Kishës Katolike, të një qendre të re pritëse për njerëzit në nevojë në qytetin e Shkodrës.
Kryeministri Berisha falënderoi Kardinalin Bagnasco dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe punën e jashtëzakonshme që në fillimet e demokracisë në Shqipëri e deri më sot, nga Kisha Katolike, Caritasi, misionaret dhe misionarët prezentë në vendin tonë, për të përkrahur dhe ndihmuar zhvillimin e ekonomik e kulturor të vendit, arsimimin e të rinjve, njerëzit në nevojë etj.
Kardinali Angelo Bagnasco u shpreh i impresionuar nga ndryshimet rrënjësore që ka shënuar Shqipëria në vitet e fundit, shprehu mbresat dhe vlerësimet e tija për tolerancën tradicionale fetare dhe bashkëjetesën harmonike të besimeve në Shqipëri, si dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e qeverisë shqiptare në punën që organizmat e Kishës Katolike bëjnë çdo ditë në drejtim të solidaritetit social.
09/07/2010