E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet Konferencën “Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm – Paqe Sociale”.

9 korrik 2010
Theth

Nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u organizua sot në Theth, në sheshin para kishës, Konferenca në formë kunvendi “Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm – Paqe Sociale”, me pjesëmarrjen e Zëvendësministres së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, funksionarëve të lartë të pushtetit lokal dhe rajonal, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri si Ambasadori gjerman, Bernard Borhard, Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Lohan, përfaqësues të donatorëve të vendeve mike në Shqipëri, si dhe banorë të kësaj krahine.

Pas fjalës së mirëseardhjes dhe një prezantimi të shkurtër për Thethin nga Kryetari i Komunës “Shalë”, Ded Tonaj, përshëndeti Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku si dhe Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në vendin tonë, Bernard Borhard.

Në vijim, me një fjalë të posaçme kësaj Konference dhe të pranishmëve në të iu drejtua Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u shpreh:

Të dashur banorë të Komunës “Shalë”,
Malësorë fisnikë,
Zonja dhe Zotërinj,
I nderuar Kryetar i Komunës,
Të nderuara autoritete vendore,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
E nderuara Zëvendësministre e Turizmit,

Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem midis jush. Është një ndër ato emocione të veçanta që njeriu i prek rrallë në jetën e tij. Padyshim kam një kënaqësi të veçantë që ndodhem këtu midis kësaj panorame të mrekullueshme. Gjatë jetës njeriu ka mundësi të lëvizë, të vizitojë shumë vende, por mund t’ju them me sinqeritetin maksimal që sot kam zbuluar atë që njeriu duhet ta bëjë së pari në vendin e tij: kam zbuluar mrekullinë shqiptare. Natyrisht që jemi në atë që përbën kartolinën më të bukur të Veriut. Vërtet ju sot mund të ndiheni disi larg, ndoshta pak të izoluar, por ju siguroj që jeni në projektet e së ardhmes, madje do të thoja në projektet e shpejta të së ardhmes. Dhe për këtë duhet të ndiheni fatlumë që jeni jo vetëm pjesë e këtij ekosistemi të mrekullueshëm natyror, por mbi të gjitha jeni pjesë e një historie të lashtë. Unë do të doja të falënderoja nga zemra gjithashtu projektin “GTZ”, i cili bëri të mundur që të realizohet ky forum, besoj një nga forumet më unikal! Zonja Zëvendësministre e tha shumë bukur: “ne jemi mësuar gjithnjë të dëgjojmë kuvendi i burrave”, por sot ne kemi të pranishme mjaft zonja, që janë pjesë e jetës së kësaj Komune të bukur, kemi mjaft fëmijë, që janë pjesë e së ardhmes të ndritur të kësaj Komune, por do të thoja që ndryshe nga çdolloj retrospektive historike e kuvendeve të kësaj zone, ne sot kemi një minikuvend evropian, sepse kemi të pranishëm zotërinj të nderuar, Ambasadorin e Komisionit Evropian, zotin Lohan, Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë, zotin Bohard dhe shumë miq të tjerë. Kjo do të thotë që ne vërtet po integrohemi në të gjitha linjat e mundshme dhe besoj që një nga përparësitë e vendit tonë është pikërisht prioriteti i turizmit.

Pak ditë më parë, unë kam pasur rastin të jem në një takim me disa Presidentë të rajonit diku afër, në Prevallë të Kosovës. Jemi shumë afër Kosovës. Një ndër temat më të rëndësishme ka qenë zhvillimi infrastrukturor midis vendeve tona dhe të gjithë kemi rënë dakord që të investojmë shumë shpejt, por besoj që edhe Komuniteti Evropian do të jetë i interesuar, për të lidhur tre vende, të cilat janë vende tradicionalisht miq dhe duhet të ndërtojnë një të ardhme evropiane, pra Shqipëria, Kosova – shteti më i ri i pavarur në Evropë edhe Mali i Zi nëpërmjet Parkut të mrekullueshëm të Bjeshkëve të Namuna që do të bëjë të mundur rritjen e turizmit në këtë zonë. Unë e thashë pak më parë që njeriu duhet të ketë një detyrim që duhet ta realizojë, cilido qoftë ai, qoftë një njëri i thjeshtë pa pushtet, qoftë një njeri me pushtet dhe në radhë të parë këta të fundit. Unë bëj një lloj refleksioni. Atë që ne e kemi studiuar në gjeografi për vendi tonë të bukur, njeriu duhet domosdoshmërisht ta shikojë, ta vizitojë, ta prekë dhe të prekë jo vetëm realitetin dhe bukuritë e mrekullueshme, por të prekë edhe realitetin e njerëzve të ndershëm e të mrekullueshëm të kësaj zone, njerëz fisnikë që e demonstrojnë në mikpritjen e tyre, e demonstrojnë në mënyrën e sjelljes së tyre, e demonstrojnë në dashamirësinë e tyre. Për këtë arsye mund t’ju them se jam i lumtur që jam sot këtu midis jush sot.

Mirë se ju gjeta!

Përfytyroni se sa shumë ndryshime klimaterike ka brenda një rajoni të vogël. Në Tiranë në këtë moment, apo në çdo qytet tjetër të zonave urbane të Shqipërisë temperaturat janë shumë të larta. Njerëzit në përgjithësi, dhe lëvizja e lirë e cila për ne është jetike na e ka mundësuar që ne do të shikojmë, do të bëjmë turizëm, do të jemi të lirë të shkojmë kudo, të shikojmë dhe vende të tjera, unë u bëj një thirrje qoftë popullit shqiptar, qoftë shoqërive turistike, qoftë edhe medias, të cilën dua ta falënderoj në mënyrë të veçantë për praninë e saj këtu për t’i bërë promocion pikërisht një zone, e cila ndoshta nuk njihet shumë, por u bëj thirrje shoqërive turistike që sikurse bëjnë reklamë edhe për vende të tjera turistike jashtë Shqipërisë, të bëjnë reklamë, sepse njerëzit nuk do të zhgënjehen duke ardhur këtu. Ne kemi folur vetëm për natyrën, por në fakt duhet të njohim nga afër edhe historinë. Shumë studiues kanë ardhur këtu, shumë personalitete të shquara dhe përfytyroni që kanë ardhur dekada e dekada më parë. Sot është shumë më e thjeshtë dhe çdo njeri i civilizuar mëson zakonet e zonës, mëson historinë e zonës, mëson, ose e lidh atë që ka lexuar në libra, nëpërmjet një prezantimit të drejtpërdrejtë; dëshiroj të falënderoj edhe guidën, njeriun që na shpjegoi nga afër të gjitha majat, duke filluar nga Maja e Radohimës tek Mali i Arapit, më tej Mali i Jezercës, Maja e Aliajt dhe me radhë deri tek Lugina e Thethit, pra janë gjëra të cilat njeriu kur i prek nuk i harron më kurrë, përkundrazi, bëhet i gatshëm t’ua transmetojë ato brezave.

Jam këtu për të sjellë në vëmendje një çështje të cilën Parlamenti Evropian e mori në konsideratë vetëm dy ditë më parë, duke marrë në konsideratë të ardhmen e padiskutueshme evropiane të Shqipërisë. Në atë rezolutë e cila u miratua edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën për të ardhmen e tyre evropiane të padiskutueshme. Por krahas arritjeve, natyrisht që dalin edhe probleme, të cilat unë mendoj që janë shumë herë më të vogla nga ç’kanë qenë më parë, por që gjithsesi janë shqetësime. E kam fjalën për atë fenomen i cili nga ka munduar prej kohësh, e ka munduar edhe këtë zonë. E kam fjalën për fenomenin e gjakmarrjes, fenomen të cilin unë e kam diskutuar dhe herë të tjera së bashku me përfaqësues të institucioneve shqiptare. Këtu unë ende nuk e kam parë. Natyrisht që e kam parë në libra, e kam parë në dokumentarë, por dëshiroj ta shoh nga afër. Ju e keni një kujtim. Është një ndërtesë e cila është pjesë e historisë, e asaj historie të cilën ne duhet ta prekim dhe duhet ta mbajmë si një relike e një kohe të vjetër, e një kohe të shkuar ku njerëzit nuk kanë arsye që të rikthehen për ta prekur si realitet. E kam fjalën për Kullën e Ngujimit. Njerëzit duhet të dalin nga Kulla e Ngujimit! Ju sot e demonstroni në mënyrë shumë civile. Jeni njerëz të një kohe moderne. Jeni njerëz që duhet të prekni realitetin modern. Duhet të merreni me turizmin, duhet të merreni me ndërmarrjen private, duhet të merreni me atë që ju jep më shumë të ardhura dhe kjo është arsyeja që unë e gjej shumë të gjetur edhe titullin e këtij forumi: “Zhvillim i Qëndrueshëm Ekonomik – Paqe Sociale”. Aty ku ka zhvillim ekonomik ka dhe paqe sociale. Ku ka varfëri ka një rilindje të tendencave të krimit. Ndaj duhet ta zhvillojmë këtë zonë që i ka të gjitha resurset. Shumë njerëz mund të kenë parë dhe, jam i bindur që, Shkëlqesitë Ambasadorë vijnë nga vende që kanë alpe dhe male shumë të bukura. Por, mund t’ju them që nga pikëpamja e konfigurimit natyror malet, që i ka bërë natyra të tilla, i ka bërë Zoti, nuk kanë ndryshim. Përkundrazi, këtu është një bukuri e paparë. Por, ne duhet të bëjmë që këto male të kthehen në burim të ardhurash, në burime fitimi, sikurse janë turizmi në Zvicër, në Gjermani, apo në vende të tjera të Evropës Qendrore. Kështu që do ta bëjmë së bashku.

Unë jam i bindur që ato probleme që ekzistojnë natyrisht që do të jenë në vëmendjen e institucioneve shqiptare, qoftë sa i përket zhvillimit të infrastrukturës, qoftë për sa i përket konservimit të vlerave historike dhe kulturore të monumenteve, që ndoshta kanë qëndruar këtu me qindra vjet, por janë zbuluar së fundmi. Pra kudo toka jonë, sado që është një territor i vogël është një tokë e mbushur vetëm me vlera të lashta historike, por vlera më e rëndësishme që është një vlerë e qëndrueshme e popullit tonë, është ajo që ne e takojmë dhe sot këtu është mikpritja, është atdhedashuria, është dëshira për të jetuar në harmoni dhe besoj se harmoni më të madhe se sa të jetojmë së bashku në një ëndërr evropiane të realizuar, besoj që kjo do të ishte padyshim ëndrra më e madhe e realizuar.

Unë edhe një herë, pa dashur të zgjatem shumë, sepse ky kuvend u takon të gjithëve dëshiroj t’ju falënderoj për mikpritjen, dëshiroj t’ju falënderoj për demonstrimin e gjithçkaje që është e natyrshme tek ju dhe që nuk është e sforcuar, që është kaq e natyrshme dhe besoj që duke e prekur këtë realitet një herë, besoj që do të jemi shumë të tërhequr për ta parë sërish dhe për të parë progresin e kësaj zone!

Edhe një herë ju falënderoj nga zemra dhe ju uroj shëndet ju dhe familjeve tuaja, gjithë komuniteti dhe besoj se ditë të tjera do të jenë akoma më të mira se sot!"

Gjatë qëndrimit në Theth, Presidenti Topi vizitoi “Kullën e Ngujimit”, e cila përfaqëson simbolikisht një traditë anakronike të gjakmarrjes dhe tashmë të lënë pas në vendin tonë dhe të tjera vende piktoreske për të cilat Thethi është i shquar si një ndër zonat më të bukura turistike të vendit tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›