Ndërron jetë Ricola, ish-kreu i BIA
Bankieri ka vdekur në moshën 66-vjeçare në qytetin e Romës. Për nëntë vjet drejtoi Bankën Italo- Shqiptare
Një prej bankierëve më të mirë që kanë punuar në Shqipëri ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare. Xhankarlo Ricola, njeriu që për nëntë vite ka drejtuar bankën Italo-Shqiptare është mposhtur nga sëmundja dhe ka ndërruar jetë.
Ai do të kujtohet nga bashkëpunëtorët e shumtë që ka pasur në Shqipëri si një profesionist i zoti që ka pasur rezultate shumë të mira në drejtimin e bankës në një kohë të vështirë si Shqipëria e viteve 1995-2004. Askush më mirë se djali i tij nuk mund të bënte portretin e një profesionisti dhe humanisti si Xhankarlo Ricola.
Romë 28 nëntor 2009, ka fjetur, tashmë i lodhur në përqafimin e ngrohtë të gjumit të përjetshëm, në moshën 66 vjeçare, Xhankarlo Ricola: një njeri i mrekullueshëm, një profesionist i afirmuar dhe i vlerësuar, por mbi të gjitha, një baba i kujdesshëm dhe i kudogjendur, në të shkuarën si dhe në të ardhmen e të gjithë njerëzve që kanë pasur kënaqësinë dhe fatin të hyjnë në kontakt me të.
Doktor Ricola, baba, e ka dashur gjithnjë Shqipërinë, njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar dhe punën e tij, të cilën e ka kryer me përkushtim dhe pasion, në bankën B.I.A në Tiranë, për një periudhë prej shtatorit të vitit 1995, deri në nëntor të 2004, me rezultate të shkëlqyera nga ana ekonomiko- financiare, po ashtu dhe nga ajo humane, gjë të cilën vartësit e tij gjithnjë e kanë pohuar spontanisht.
Një vend të cilin nuk e braktisi asnjëherë, në të cilin do e kujtojnë shumë miq, bashkëpunëtorë të sinqertë dhe dashamirës të ndryshëm që, si të gjithë, do ta kujtojnë këtë njeri të mrekullueshëm vetëm në mënyrë pozitive.
Xhiankarlo pas shumë vitesh sëmundjeje, vuajtjesh dhe shprese, tashmë do të jetë në kujtimet tona, në mësimet, apo thjesht në shikimet, apo buzëqeshjet, të cilat nuk ka nguruar kurrë t'i dhurojë, si mund të vihet re lehtësisht dhe në foto, në një nga ditët e shumta të gëzueshme dhe të qeshura të viteve të fundit të jetës.
Një përqafim të sinqertë, nga dashuria e djalit, një nga katër fëmijët, i cili shkruan duke marrë parasysh dashurinë e të gjithë atyre, që duke lexuar do të kenë një kujtim, shkon me atë që tashmë, pas një jete të jetuar me pasion, na le jo një lamtumirë, por një buzëqeshje dashamirëse, një shihemi së shpejti, mirupafshim, ashtu siç do na kishte thënë vetë ai...
Mirupafshim, doktor Ricola, mirupafshim baba.