E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministra dhe spiunë

Udhëheqësit ballkanikë vuajnë nga një atraksion fatal për spiunët dhe një nga ethet e tyre të para kur vijnë në pushtet, është të akaparojnë, të kontrollojnë dhe të vënë në shërbimin e tyre të drejtpërdrejtë personal (kurrë shtetëror), spiunët dhe agjencitë e spiunazhi. Ky pasion dhe ves shtetëror klasik ballkanik dëshmohet me skandalin që ka plasur në Bullgari mes dy kryeministrave, kryeministrit të tanishëm të djathtë, Bojko Borisov, i cili kryeson qeverinë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut, dhe ish- kryeministrit të majtë, Sergej Stanishev, kryetar i Partisë Socialiste,
Kryeministri Borisov, më 24 tetor, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, akuzoi paraardhësin e tij, ish-kryeministrin Stanishev se, nuk ka dorëzuar dhe ka "humbur" një raport sekret të agjencisë shtetërore të sigurimit kombëtar, SANS, i cili mban titullin "Veprime të personave dhe të qarqeve, që ushtrojnë ndikim destruktiv në funksionimin e ministrive dhe të administratës shtetërore". Raporti analizon shtrirjen, format dhe emrat konkretë të korrupsionit shtetëror, dhe i është dorëzuar Stanishevit në tetor të vitit të kaluar, por ai nuk e ka kthyer në agjencinë e sigurimit kombëtar, siç e kërkon protokolli i sigurisë shtetërore për dokumentet dhe dosjet konfidenciale të agjencive të shërbimit të fshehtë. Kryeministri i tanishëm nuk e ka gjetur këtë raport në kabinet, kur mori detyrën e kryetarit të qeverisë së re. Më 28 tetor Borisovi njoftoi se në kabinetin e tij nuk gjenden edhe 9 dosje sekrete që i kanë qenë dorëzuar ish- kryeministrit Stanishev nga SANS dhe që përmbajnë çështje delikate të sigurisë kombëtare.
Raporti i agjencisë shtetërore të sigurimit kombëtar, sipas qeverisë së tanishme, është hartuar me synime shantazhiste, dhe bëhet akuza se kabineti i mëparshëm ka pasur qëllim të diskreditojë njerëzit që janë pranë kryeministrit të tanishëm. Nga ana e tij, ish-kryeministri Stanishev, aktualisht kryetar i Partisë Socialiste, hedh poshtë akuzat dhe kundërpërgjigjet se prokurorët dhe mediat do të bënin mirë të investigonin se si njerëzit që janë pranë kryeministrit Borisov kanë fituar tenderat, kur bosi i tyre ishte kryetar i bashkisë së Sofjes.
Si në çdo lloj intrige politike e shtetërore ballkanike, janë vënë në lëvizje prokurorë e prokurori, media e analistë, dhe gjithë zhurma, me gjithë akuzat rrëqethëse që palët i bëjnë njëra-tjetrës, nuk jep shumë shpresë se do të çohet deri në fund. Në shtetet ballkanike ish-komuniste është krijuar tashmë tradita e re ballkanike, që kryeministrat i lëshojnë njeri-tjetrit një mijë e një akuza, i hartojnë nëpërmjet spiunëve dhe agjencive të spiunazhit me mijëra dosje komprometuese për njeri-tjetrin, për familjet dhe për njerëzit rreth njeri-tjetrit, dhe pastaj gjithçka avullon dhe e vërteta zhduket, duke marrë me vete edhe drejtësinë.
Përtej katrahurës dhe intrigës politiko-subversive, shfaqet mjerimi politik, njerëzor, intelektual dhe moral i klasës qeverisëse ballkanike. Shfaqet vesi i keq i përdorimit të agjencive dhe instrumenteve shtetërore në luftën e kobrave për pushtet ekonomik dhe politik, si dhe rivalitetet e mëritë personale të udhëheqësve politikë. Agjencia shtetërore e sigurimit kombëtar, SANS, u krijua nga ish-kryeministri S.Stanishev, në janar të vitit 2008, dhe kryeministri i tanishëm, Borisov e akuzon se e krijoi si një polici politike. Sipas këtij vlerësimi, kjo do të thotë se ajo u krijua për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur rrethin e personave afër ish-kryeministrit socialist. E konsideruar si e tillë nga kryeministri i tanishëm, Borisov, ky shtroi edhe mundësinë e shkrirjes së kësaj agjencie shtetërore. Pra, shteti dhe institucionet e tij shndërrohen nga kryeministrat si plastelina, që nga instrumente të demokracisë dhe të shërbimit ndaj popullit, transformohen në instrumente pro ose kundër pushtetit të udhëheqësit apo të partisë së tij, dhe ato favorizohen apo goditen, ngrihen e shkrihen, sipas interesit personal të kryeministrit. Njeri e krijon një institucion, ndërsa tjetri e shkrin, dhe kriteri i vetëm është se sa i shërben pushtetit dhe përfitimit personal të atij që drejton qeverinë. Siç është tipike për shtetet ish-komuniste të Ballkanit lufta mes kryeministrave, dhe vesi i tyre apo dobësia i tyre për spiunët dhe agjencitë e spiunazhit, nuk janë një fenomen vetëm kombëtar. Në zhvillimet e brendshme ballkanike të niveleve të larta politike, gjithmonë do të gjesh dhe gjurmët e interesave dhe të implikimeve të huaja, të njërit apo tjetrit faktor të jashtëm, dhe sidomos të atyre shteteve të cilat kanë një interes strategjik për t'i mbajtur shtetet ish-komuniste në trazira të përhershme dhe në nivele të ulëta demokracie e mirëqenieje. Është interesant, për shembull se një nga dosjet sekrete të humbura, që nuk gjenden në kabinetin e kryeministrit, ka të bëjë me hartat dhe problemet e sistemit energjetik kombëtar, si një nga çështjet kyçe të sigurisë kombëtare të vendit, si dhe analiza e formave dhe mënyrave te përdorimit nga Rusia të hartave energjetike bullgare si armë politike kundër interesave të Bullgarisë. Në këtë dosje, sipas mediave bullgare, kanë qenë të zbërthyera raportet dhe shumë elementë të procesit të përfshirjes së Bullgarisë në projektet energjetike ndërkombëtare të Rusisë. Zhdukja e saj, me arsye ose jo, lidhet me kryeministrin socialist, S.Stanishev, i cili ka ndjekur një politikë të lidhjes së ngushtë me Rusinë, dhe i cili ka qenë i akuzuar nga mediat bullgare si bashkëpunëtor me KGB-në ruse, ndoshta për faktin se ai ka shtetësinë ruse. Skandali i dosjeve të zhdukura nga kabinetet kryeministrore dhe i spiunëve që ka përfshirë politikën e lartë bullgare, rihapi në opinionin publik ballkanik pamjet e metastazave kanceroze që kanë mbërthyer institucionet shtetërore dhe ku krimi i organizuar po ja merr ose ja ka marrë frymën shtetit, drejtësisë, demokracisë, moralit, perspektivës. Raporti i agjencisë shtetërore të sigurimit kombëtar, i cili në 26 tetor është hedhur në internet nuk dihet nga kush, në paragrafin e tij të parë, të cilin ne po e japim të plotë për interesin që paraqet, thotë tekstualisht:
"Të dhënat e grumbulluara nga SANS tregojnë ekzistencën e një strukture që vepron paralel me autoritetin e shtetit, dhe e cila ka mundësi serioze, fonde dhe pozicione, të influencojë mbi autoritetet ekzekutive dhe legjislative dhe mbi jetën politike e sociale të vendit. Kjo strukturë synon të krijojë forma të qëndrueshme të pushtetit paralel brenda institucioneve dhe shërbimeve shtetërore, me qëllim që funksionimi i kësaj strukture do të garantohet, pavarësisht nga ndryshimi i shumicës drejtuese në qeveri dhe në parlament. Ka të dhëna kategorike, që përfaqësues të biznesit, të institucioneve shtetërore, të medias dhe të grupeve të krimit të organizuar, ndërmarrin veprime të sinkronizuara për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta". Megjithatë, raporti ka një mangësi, se nuk flet për implikimin e spiunëve dhe të agjencive të spiunazhit në këto struktura shtet-shkatërruese. Ivan Drashkov, ish-zëvendëskryetar i agjencisë së sigurisë kombëtare, SANS, i deklaroi shtypit më 28 tetor se, grupe të oficerëve të SANS-it kanë vepruar njëlloj si grupet e krimit të organizuar. Pasazhi i mësipërm i raportit është një radiografi dhe diagnostikim tronditës i realitetit në një shtet ish-komunist. Dhe, kjo nuk është plagë bullgare, por është fenomen tipik i tranzicionit të një shteti ish-komunist në Ballkan, ku komunizmi gjet rastin e artë të hakmerret, duke u lënë trashëgim demokracive të reja, bashkë me pushtetin, edhe llumin e strukturave të sigurimit, të krimit dhe të spiunimit. Nuk e fsheh dot këtë realitet të hidhur fakti që vendi është anëtar i BE-së apo i NATO-s. Dhe kryeministrat, si ai që është, dhe ai që ishte, në vend që të merren me këtë realitet tronditës, për të cilin janë që të dy fajtorë, dhe që e portretizon vendin si një shtet të dështuar, hedhin e presin me njeri-tjetrin nëse e ka fajin ai që e ka nxjerrë raportin, apo ai që flet për humbjen e raportit; nëse e ka fajin raporti pse flet për njerëzit e kryeministrit të tanishëm apo pse kryeministri i mëparshëm bën shantazh me emrat e raportit mbi njerëzit e politikës dhe të biznesit për qëllime politike. Dëshmitë e njëpasnjëshme dhe të reja për zhvillimet dhe realitetet e hidhura nga vendet ish-komuniste në Ballkan nuk mund të mos shtyjnë drejt dilemës, nëse këto vende janë vërtet shtete të dështuara. Është një dilemë hamletiane, që nuk e zgjidh dhe as nuk të ndihmon dot ta kuptosh, emblema e vendit të NATO-s apo të BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›