Ku do të shkojmë?
A respektojmë ne natyrën? A respektojmë ne kafshët? A respektojmë ne fëmijët dhe të moshuarit? A respektojmë ne njerëzit më të brishtë të shoqërisë sonë? Të sëmurët mendorë. A i dëgjojmë? A respektojmë njëri-tjetrin? A jemi një vend i civilizuar? Dikush thotë se rastet e keqtrajtimit të njerëzve me aftësi të kufizuar kanë ndodhur dhe në Europë, madje prindër-monstra kanë jetuar dhe në mes të një kryeqyteti si Vjena. Eshtë e vërtetë kjo, por këta prindër-monstra kanë qenë shumë të vetmuar në krimin e tyre, ndryshe ndodh në komunitetin tonë dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë. Tre rastet e familjeve të denoncuara në media se lidhnin me zinxhirë të afërmit e tyre të sëmurë mendorë, kanë një implikim masiv përgjegjësie: familja, shteti me strukturat e tij shëndetësore e sociale, fqinjët, pushteti vendor, por nuk përjashtohet dhe komuniteti fetar, i cili ende nuk është shprehur për këto raste. Eshtë katastrofike për një shoqëri, kur përgjegjësia prek kaq shumë hallka. Tirana, por dhe qytete të tjera tonat janë tamam si Europa, se ka lokale shumë luksoze dhe se rrugët po bëhen, thonë disa. E vërtetë është kjo, por një baba me një fëmijë të sëmurë prej 22 vjetësh, që e lidh me zinxhir, kërkon të zgjidhë problemin e tij, vetminë dhe ankthin që e ka shoqëruar në gjithë këto vite, me një takim me Kryeministrin. Ai atë ëndërron. Sepse në Shqipëri nuk ka Shtet, por ka Kryeministër të radhës, grua Kryeministri të radhës, familjarë Kryeministri të radhës, media dhe shoqëri Kryeministri të radhës që zgjidhin hallet.
Ne pretendojmë të jemi një shoqëri civile pa ditur se të sëmurët mendorë nuk mbyllen më prej vitesh nëpër spitale, por jetojnë të lirë në komunitet. Një vend civil krijon kushte të përshtatshme dhe të denja për të strehuar këta të sëmurë me dashuri në shkollë, punë artizanale apo fabrika. Shoqëria është strehëza më e mirë për ta, por ne nuk i meritojmë. Me tre rastet e dëshmuara, por dhe qindra të tjerë që ekzistojnë në këtë forma apo forma të tjera, ne tregojmë se nuk jemi të denjë për të mirëpritur njerëzit me aftësi të kufizuar, ndaj duhet të kërkojmë ndjesë para Zotit dhe tyre.
albamalltezi@hotmail.com