E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Ministrin e Kulturës së Kosovës, zotin Skënder Hyseni

Kryeministri Berisha priti sot në një takim miqësor Ministrin e Kulturës të Qeverisë së Kosovës, zotin Skënder Hyseni.

Ministri i Kulturës së Kosovës, zoti Hyseni e falënderoi Kryeministrin  Berisha për mikpritjen dhe për kontributin e tij tejet të çmuar në çështjen e Pavarësisë së Kosovës si dhe i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Kosovës, zotit Fatmir Sejdiu, të Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi si dhe të drejtuesve të tjerë të politikës kosovare.

Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë, ministrit të parë të Qeverisë së Kosovës që viziton Shqipërinë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  i shprehu atij vlerësimet më të larta për festimet në Kosovë gjatë ditës së pavarësisë, duke i cilësuar ato si festimet më dinjitoze dhe qytetare që ka njohur bota shqiptare ndonjëherë.

Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ngjarje madhore historike përbënte lirinë e vërtetë të Kosovës dhe se populli i Kosovës dhe klasa politike shqiptare përjetuan lumturinë e pavarësisë, por edhe keqardhjen për mungesën në këtë organizim festiv të ish Presidentit Rugova, arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, si dhe atyre heronjve që humbën jetën dhe bënë sakrificën sublime për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Ministri i kulturës së Kosovës, zoti Skënder Hyseni i shprehu Kryeministri Berisha mirënjohjen e qeverisë dhe popullit të Kosovës për përpjekjet dhe mbështetjen e vyer të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë dhe në vijim u shpreh se Kosova do të vazhdojë me mjaft maturi  koordinimin ndërkombëtar në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës.

Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha dhe Ministri i Kulturës, zoti Skënder Hyseni u ndalën gjerësisht në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën arsimit dhe kulturës si dhe në një sinkronizim sa më të shpejtë të sistemeve gjuhësore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryeministri Berisha  dhe zoti Skënder Hyseni u ndalën edhe në koordinimin dhe sinkronizimin e dy përfaqësive diplomatike respektive.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›