Kryeministri Berisha në konferencën vjetore të EFSE: Qeveria do të nxjerrë një ligj që parashikon 8 vite pa asnjë taksë për ata që investojnë në zonat turistike malore të vendi
Kryeministri Berisha deklaroi në konferencën vjetore të përbashkët për bankat e rajonit, se qeveria është përpjekur të krijojë një klimë të favorshme për bankat, duke theksuar se shumica e bankave në Shqipëri janë të huaja. Ai theksoi se në kuadër të krizës financiare është shumë e rëndësishme dhënia e kredive dhe financimi nga bankat i projekteve për shndërrimin e Shqipërisë si një vend të zhvilluar.
Kryeministri bëri thirrje për rritjen e investimeve në zonat malore duke premtuar se qeveria do të nxjerrë shumë shpejt një ligj, që do përjashtojë për 8 vjet nga taksat ata që investojnë për turizmin malor.
“U përpoqëm të vendosim një kuadër ligjor sa më të përshtatshëm për bankat. Bankat në Shqipëri janë të gjitha të huaja, pasi kanë gjetur një klimë të favorshme. Ëndrra e çdo shqiptari është ‘Shqipëria vend zhvilluar’. Ajo ka të gjithë potencialet për ta arritur këtë objektiv dhe këtë mund ta bëjë falë investimeve në mbarë vendin. Koncepti i qeverisë shqiptare është që Evropën ta ndërtojmë në çdo cep të Shqipërisë”, theksoi kryeministri Berisha.
“Qeveria do të nxjerrë një ligj që parashikon 8 vite pa asnjë taksë për ata që investojnë në zonat turistike malore të vendi. Kulmi i krizës ka kaluar, por sërish borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo detyron dhe imponon një qëndrim të ri. Ky qëndrim i ri kërkon që qeveritë të bëjnë çdo gjë për t’i ulur ato duke zvogëluar në mënyrë të pamohueshme, portofolin investues të qeverive. Në këtë pikë roli i bankave dhe kredive bëhet më i rëndësishëm”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
E nderuar Zonja Carola – Muller – Holtkemper, Ambasadore e Republikës Gjermane
I nderuar Zoti Gerhard Schumann – Hitzler, Drejtor në Komisionin Europian
I nderuar Uwe Ohls, Drejtor i Përgjithshëm i KfW për Europën dhe Azinë
I nderuar Zoti Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Të nderuar drejtorë të Bordit të Fondit Europian të Europës-Juglindore
Miq dhe të ftuar
Zonja dhe zotërinj
Së pari dëshiroj të falënderoj me mirënjohje Drejtorin e Përgjithshëm të KfW Uwe Ohls, Fondin Europian të Europës-Juglindore, për organizimin e kësaj konference shumë të rëndësishme në Shqipëri. Në pesë vjetorin e themelimit të institucionit të parë financiarë rajonal , i cili ia doli në një kohë të shkurtër të fitojë një emër një prestigj jo vetëm rajonal, por edhe Europian dhe Botëror. Ideja e krijimit të këtij fondi ishte një ide e madhe, e cila bazohej në një vizion të ri, në vizionin e vështrimit të gadishullit si një rajon. Gadishullit të parcelizuar dhe të ndarë nga dhjetëra faktorë, por që ka nevojë jetike për një vështrim të tillë. Dua të theksoj këtu se KFW si ideatorë dhe krijuese kryesore e këtij fondi ka meritën e madhe të financimit, jo vetëm të qindra projekteve brenda vendit tim, projekte që shkëlqejnë në suksesin tyre, por edhe të projekteve rajonale në pikat nevralgjike siç janë lidhjet në linjat e tensionin e lartë të Shqipërisë me Malin e Zi, së shpejti Shqipërisë me Kosovën, Shqipërisë me Maqedoninë.
Historia e Fondit të Europës Juglindore në të cilën qeveria shqiptare u bë ndër aksionerët e parë rajonal, është një histori e vërtetë suksesi. Nga ky fond në Shqipëri janë dhënë mbi 8300 kredi. Po të kemi parasysh kohën kur këto kredi janë dhënë dhe përfituar, vlera e tyre është shumë e madhe, sepse në një periudhë të vështirë për ekonominë Europiane dhe shqiptare rajonale ekonominë botëror, e këto kredi dhanë një ndihmesë të madhe, mbrojtën dhe mundësuan mijëra e mijëra vende punësimi. Nxitën prodhimin, u shndërruan këto po të përdorim gjuhën e Skënderbegut, në një faktor të rëndësishëm rezistence ndaj cunamit ekonomik dhe financiare Europian dhe botëror dhe unë ju falënderoj për fjalët inspiruese që gjetët për Skënderbegun.
Shqipëria është një ekonomi e vogël, por dinamike dhe entuziaste, e cila fakton gjatë kësaj krize të rëndë se modeli i saj është një model funksionues, modeli i sa,j sado që në përmasa është modeli i një ekonomie të vogël, por që ia doli të përballojë me sukses, pasojat e rënda të krizës ekonomike dhe financiare Europiane dhe Botërore. Modeli ekonomik i vendit tim bazohet kryesisht në një qeveri të vogël dhe mendoj se fakti që ky vend në periudhën e krizës më të madhe u gjet në më pak se gjysmën me një sektor publik 50% më të vogël sesa vendet fqinje,në të gjitha analizat ishte një avantazh serioz për, sektorin privat të vendit. Vitet në të cilat kaloi ishin për Shqipërinë vitet e një revolucioni të thellë fiskal. Ky revolucion fiskal, nisi duke u bazuar në parashikimin në autoritetet shqiptare të cunamit që do të vinte, por nisur nga modeli fiskal që ne besojmë. Ne besojmë në taksat e ulta, për faktin e thjeshtë sepse jemi të bindur, se paratë në kontot e biznesmenëve e sipërmarrësve privat janë më të dobishme në fund të fundit sesa ato në duart e shteti dhe të qeverisë.
Mbi këtë bazë ne ndërmorëm ulje të mëdha taksash, ulje të cilat në taksën e fitimit shkuan rreth 150 %, në taksen e të ardhurave personale rreth 130%. Nga sigurimet shoqërore rreth 100%, po kështu me dhjetëra tarifa u zhduken ose u shndërruan në 1 euro. Të gjitha këto u bënë një nxitje për biznesin shqiptarë. Të gjitha këto krijuan një mjedis shumë më të mirë për investimet dhe biznesin. E vërteta është se këto kanë qene vitet në të cilat biznesi i vogël, është mbi dyfishuar dhe ajo që është specifike në këtë mbi dyfishim është se kjo ka ndodhur edhe në zonat e largëta të vendit, ky dyfishim nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë apo në Durrës, jo. Ka ndodhur edhe në Pukë, në Kukës , ka ndodhur edhe në zona të tjera të largëta të Shqipërisë.
Dy vjet më parë lexova një punim të një grupi serioz të universitetit të Oxfordit , i cili faktonte se për çdo dollarë, taksë, korporate të ulur, 0.54% u shkonte fitim punonjësve duke përmbysur njëherë e përgjithmonë dogmën marksiste të taksës progresiste në këtë mënyrë. Ky grup që kishte analizuar rreth 800 mije sipërmarrje në Europë dhe në Botë për rreth 10 vite, faktonte në studimin e tij dhe argumentonte në mënyrë shkencore domosdoshmërinë e politikës së taksave të ulta, si interesi më i mirë, jo aq i kapitalistit si i tillë, por i punonjësve dhe shoqërisë në tërësi. Qeveria bëri përpjekje të mëdha dhe një bashkëpunim të ngushtë me bankat për të vendosur një kuadër ligjor sa më të favorshëm dhe të përshtatshëm për to.
Sistemi bankar i vendit ishte natyrisht i pari që ndjeu krizë, përjetoi disa momente të vështira sidomos në tetorin e vitit 2008, kur nga paniku dhjetëra, mijëra qytetarë tërhoqën kursimet nga bankat, por kjo qe një stuhi afatshkurtër. Bankat e vendit u sollën me një maturi të madhe, me një seriozitet dhe jashtë panikut, ato kapërcyen brenda disa muajve këtë periudhe të vështirë. Qeveria sëbashku me to vendosi rritjen e garancisë për kreditë. Disa masa u morën dhe kredia dhe depozitat kanë rritje dyshifrore, natyrisht ka një rritje të kredive të këqija, por kjo rritje është relative për vete fluksiacionin që pati niveli i kredisë gjatë tre viteve të fundit, gjendja e tyre sot është e shëndetshme.
Bankat në Shqipëri janë të gjitha të huaja, janë bija dhe nuk janë nëna, ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjitha bankat nëna kudo që janë ato, në Austri, Gjermani, Greqi, Itali dhe gjetkë, të cilat gjetën një mbështetje të plotë për veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe në momente të vështira në vendet e tyre, ato mbështetën plotësisht suksesin e bankave bija në Shqipëri. Një faktor tjetër i rëndësishëm mendoj unë, i modelit të ekonomisë shqiptare janë investimet. Në këto vite ne kemi qenë investitorë, kemi bërë çdo gjë, për investim të madh dhe për dy vite me radhë kemi investuar 10% të GDP, në ndërtimin e rrugëve të vendit. Këto faktorë bënë që ne ta ndiejmë krizën ekonomike, po të mos njohim recensionin në vitin 2000, në vitin më të vështirë në 2009, rritja ekonomike ra në 3.1% , në 2010 shkoi në 4%, shpresojmë këtë vit të jetë më e madhe , por për ne fondi Europian i Europës Juglindore mbetet dhe është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm në projektet tona për të ardhmen.
Zonja dhe zotërinj
Shqipëria 20 vite më parë renditej në 3-4 vendet më të varfra të botës, sot renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Por Shqipëria ka një ëndërr, çdo shqiptarë ka një ëndërr dhe ëndrra e çdo shqiptari është ‘ Shqipëria vend i zhvilluar’. ‘Shqipëria vend i zhvilluar’, ka të gjitha potencialet ka të gjitha mundësitë për tu bërë një vend i tillë, por natyrisht Shqipëria vend i zhvilluar do të behët nëpërmjet reformave universale të gjithanshme dhe investimeve në mijëra e mijëra projekte në të katër anët e këtij vendi. Koncepti i qeverisë shqiptare është ky, Europën duhet ta ndërtojmë në çdo qoshe të Shqipërisë. Një vend me territor të vogël dhe tokë të pakët , nuk ka as edhe një pëllëmbë tokë për të braktisur. Ka detyrim për të shfrytëzuar çdo gjë, për të shndërruar në vlerë për qytetarët e saj, çdo pasuri të këtij vendi. Shqipëria është vend i vogël me pasuri të mëdha dhe me oferta të më të mëdha për korporatat më të mëdha të botës.
Le të marrim energjinë. Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që mund të bëhet 100% prodhues i energjisë së rinovueshme, ujore dhe eksportues i saj dhe kjo përparësi del shumë më tepër në pah pas vendimit që Kancelaria Merkel, mori për mbylljen e centraleve nukleare, të konsumatorit më të madh të energjisë në Europë vendit të saj. Ky vendim ka një inpakt të jashtëzakonshëm në ekuilibra dhe tregun energjetik Europian. Ky vendim ka përcaktuar vitin 2022 dhe kjo në një treg unik energjetik, kërkon që të rendet me vendosmëri të madhe para çdo burimi tjetër energjie, sepse nuk mund të them se ky vendim i Kancelares, nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje të tjera, të qeverive të tjera, ndaj një burimi që dihet se ishte burimi më konstant, më i pastër, por me atë që ndodhi në Japoni, secili është i detyruar të nxjerrë leksionin e vet. Shqipëria është një vend me burime ujore, të vogla, por që të marra sëbashku bëjnë Danubin. Shqipëria ka për të ndërtuar 444 hidrocentrale të mesme dhe të mëdha. Shqipëria ka firmosur me sektorin privat ndërtimin e 220 hidrocentraleve. Investitorët shqiptarë po presim financimet, 36 prej tyre kanë filluar punën qindra të tjera janë të gatshëm dhe po presin të fillojnë dhe janë në pritje, ndaj dhe do të vlerësoja shumë që Fondi Europian i Europës Juglindore të shqyrtonte mundësin e ndërhyrjes më energjike dhe financimit të hidrocentraleve te vogla dhe të mesme pasi në filozofinë e tij janë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe unë e mbështes plotësisht këtë filozofi dhe këtë qëndrim.
Shqipëria është për tu zhvilluar, dhe ka një rrugë të vështirë. 2/3 e territorit të saj kanë potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim, por faktikisht presin të gjitha investime. Në Shqipëri nuk ekziston pothuajse turizmi malor, por Shqipëria mbi të gjitha është vend malor, lartësia e saj mesatare është dy herë lartësia e Europës, 7008 metra. Ne do të vlerësonim shumë inkurajimin e zhvillimit të potencialeve turistike dhe qeveria do të miratojë së shpejti ligjin, 8 vite pa asnjë takse për të gjithë ata që investojnë në zonat turistike malore të vendit. Ne duhet të nxisim sipërmarrjen e vogël kudo si një kusht për të shkëputur njerëzit nga varfëria dhe rritur prosperitetin e tyre. Qeveria së shpejti do të fillojë për zonat e varfra sistemin e mikro kreditit. Jam i bindur se fondi Europian i Europës Juglindore institucionet e tjera financiare do të bashkëpunojnë dhe me përfaqësuesit e babait të mikro-kreditit, në mënyrë që të shtrijnë, të shumëfishojnë mundësinë e mikro-kreditit në ekonominë shqiptare për nxitjen e biznesit të vogël, në mbarë vendin.
Kulmi i krizës ka kaluar por sërish zonja dhe zotërinj, siç e shihni borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo natyrisht detyron dhe imponon një qëndrim të ri. Ky qëndrim i ri kërkon që qeveritë të bëjnë çdo gjë për t’i ulur ato duke zvogëluar në mënyrë të pamohueshme, portofolin investues të qeverive. Në këtë pikë roli i bankave dhe kredive bëhet më i rëndësishëm. Për vendin ka vetëm një rrugëdalje, fuqizimi i sektorit privat, financimi i tij, kreditimi i tij më i madh dhe në këtë aspekt roli i fondit Europian mbetet dhe bëhet edhe më jetik, roli i institucioneve financiare private bëhet edhe më i rëndësishëm.
Duke ju falenderuar për mbështetjen që i bëni këtij sektori, do të shpreh krenarinë time,për ju, për Fondin Europian të Europës Juglindore, mirënjohjen e thellë për përkushtimin e tyre, veprimtarinë e tyre, e cila ndër 5 vite është shndërruar në një histori të suksesi të vërtetë në Shqipëri, në Rajon dhe më gjerë.
Faleminderit.
07/06/2011