E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Dom Simon Jubani simbol i qendreses dhe i guximit

Kryeministri Berisha u shprehu me anë të një mesazhi, familjarëve dhe Kishës Katolike ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dom Simon Jubanit.

Në këtë mesazh, Kryeministri shprehet:

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Dom Simon Jubani,
I nderuar Imzot Massafra, Arkipeshkv Metropolit i Arqidioqezes Shkodër- Pult,

Me hidhërim të thellë mora lajmin se Dom Simoni Jubani dha lamtumirën e fundit, duke u ndarë nga familjarët dhe besimtarët e tij, por edhe nga të gjithë qytetarët e Shkodrës, për të cilët ai do të mbetet misionari i ruajtjes dhe ringjalljes së virtyteve njerëzore dhe të besimit.

Dom Simon Jubani do të mbahet mend gjatë si figura e dashur dhe e respektuar e klerikut që i qëndroi me guxim mbrojtjes së vlerave të besimit dhe lirive të njeriut edhe gjatë persekutimit të gjatë mizor që ai vuajti në burgjet komuniste, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe guximit.

Dom Simon Jubani zë një vend të veçantë në historinë e ringjalljes së besimit dhe hapjes së institucioneve fetare si meshtari që sfidoi regjimin komunist dhe drejtoi nga Shkodra jo thjesht meshën e parë publike, në nëntor 1990, por përçoi shpresën dhe besimin në rikthimin e vlerave njerëzore, shpirtërore e fetare. Dom Simon Jubani ishte dhe do të mbetet në kujtesën historike të shqiptarëve si flakadan i guximit dhe i besimit.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra e Shqipëria humbën luanin e qëndresës mbinjerëzore në burgjet e regjimit hoxhist. Torturat, presionet, qelitë e errëta nuk e mposhtën dot qëndresën dhe besimin e tij, tek Zoti, tek Krishti Mbret dhe Liria.

Duke Ju shprehur Ju, Kishës Katolike e mbarë qytetit ngushëllimet e mia më të thella, i lutem Zotit që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar e të prehet përjetë në panteonin e Lirisë së kombit Shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›