E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marre pjese sot ne oren 19.00 ne ceremonine perkujtimore me rastin e 11 Shtatorit, organizuar nga Ambasada Amerikane ne Tirane, e cila u zhvillua ne Galerine Kombetare t

Kryeministri Fatos Nano ka marre pjese sot ne oren 19.00 ne ceremonine perkujtimore me rastin e 11 Shtatorit, organizuar nga Ambasada Amerikane ne Tirane, e cila u zhvillua ne Galerine Kombetare te Arteve.

Me kete rast Kryeministri Fatos Nano ka mbajtur nje fjale.

Fjala e Kryeministrit Fatos Nano

E nderuar zonja Shelton,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Zonja e Zotërinj,

Një vit më parë terrorizmi goditi në mënyrën më barbare Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke shuar mijëra jetë të pafajshme, të cilat i përkujtojmë sot me respekt të thellë.
Një vit më parë solidariteti human, shoqëror, politik dhe shtetëror i dhanë një vlerë dhe dimension të ri lirisë dhe funksionimit të sistemit global demokratik dhe një angazhim universal me tolerancën zero kundër terrorit dhe krimit të organizuar.
Prej një viti edhe ne shqiptarët u shfaqëm më natyrshëm pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit jo thjesht për të ngushëlluar, por duke dhënë kontribute reale në vendin dhe rajonin ku jetojmë apo në strukturat kolektive të sigurisë ku aderojmë.
Pas 11 Shtatorit nuk u globalizua terrorizmi, por lufta kundër tij duke u krijuar me solidaritet të admirueshëm koalicioni më i madh që ka njohur historia e njerëzimit mes shteteve dhe popujve që jetojnë apo aspirojnë në sisteme demokratike. Strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive kanë kapërcyer tashmë simbolikën e armëve dhe ushtrive duke nisur një bashkëveprim të spikatur për të hapur dhe integruar më tej vendet dhe shoqëritë respektive ndaj vlerave universale të lirisë, tolerancës, shanseve të barabarta dhe respektit ndaj ligjit.
Si pjesë e këtij koalicioni global, shteti shqiptar ka regjistruar tashmë rezultate të vlerësuara në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, si fillesa dhe burime ushqimi të terrorizmit. Operacionet e nisura kohët e fundit nga ana e Qeverisë kundër cdo fenomeni trafikues, kriminal apo abuzues nuk janë aksione sporadike apo të përkohëshme, por angazhime programore që do të realizohen me tolerancë zero gjatë gjithë ushtrimit të mandatit dhe pjesë e betejës globale antiterror.
Rezultatet e arritura deri tanë janë edhe fryt i bashkëpunimit të institucioneve dhe strukturave të shtetit shqiptar me institucionet dhe agjensitë amerikane që asistojnë zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë në botën moderne. Këto rezultate po inkurajojnë dhe orientojnë një nivel të ri të marrëdhënieve të partneritetit strategjik mes të dy vendeve në dobi të forcimit të vlerave euroatlantike, të demokracisë, paqes, sigurisë dhe zhvillimit rajonal e global.
Koha po vërteton se abuzimi i terrorizmit me besimet fetare nuk është streha e mjaftueshme për t'i shpëtuar hakmarrjes së drejtësisë ligjore apo shtrati i gjetur për të shkaktuar konflikte dhe kriza që marrin jetë të tjera të pafajshme njerëzish duke përbërë rrezik permanent për siguritë kombëtare, rajonale apo globale. Terrorizmi nuk ka fe ku mbështetet, ndaj sulmon idealet e botës demokratike dhe moderne. Ne si shqiptarë, për shkak të një tradite historike të shkëlqyer në marrëdhëniet dhe harmoninë mes kulteve fetare jemi të bindur në këtë vlerësim.
Klima pozitive që është arritur së fundmi në bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri po jep një ndikim të vecantë në forcimin e autoritetit të ligjit dhe lirisë, me mbështetjen e rregullave dhe institucioneve demokratike nga funksionet dhe kapacitetet që garantojnë liritë dhe të drejtat kushtetuese të shtetasve, zgjerimin e hapësirave ligjore dhe ekonomike për sipërmarrje dhe zhvillim, forcimin e shtetit, rritjen e sigurisë kombëtare e rajonale.
Koalicionet progresiste kombëtare dhe ndërkombëtare antiterror po e afrojnë Shqipërinë me shpejtësi me komunitetin euroatlantik, duke na krijuar mundësinë për të marrë mbi vete si klasë politike, si shtet dhe si komb më shumë përgjegjësi në angazhime të përbashkëta për një botë më të drejtë, më të begatë, më të sigurtë dhe më të integruar.
Ajo që ndodhi me 11 Shtator 2001 nuk ishte thjesht tragjedi amerikane, por një apel me përmasa globale për të luftuar cdo fenomen, individ, grup apo shtet që nxit terrorizmin. Duke përfunduar, në emër të Qeverisë së Shqipërisë garantoj partnerët tanë ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se jemi krejtësisht të gatshëm dhe të aftë të përmbushim angazhimet tona në luftën globale kundër terrorizmit dhe burimeve të tij.

Më lejoni, zonja e zotërinj, t'ju ftoj të përkulemi me respekt të thellë para kujtimit të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›