E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo heq dorë nga mbrojtësi Elvin Beqiri

 Dinamovitët kanë hequr dorë nga mbrojtësi shkodran dhe i kombëtares sonë, Elvin Beqiri. Bisedimet e kryera të mërkurën pasdite nuk është se kanë dhënë ndonjë gjë konkrete, ndërsa drejtuesit e klubit blu kanë vendosur që t'i thonë mjaft blerjeve në këtë merkato dimri. Pasi kanë marrë sulmuesin Timpanaro dhe mesfushorin Vila, por pasi kanë shitur fantazistin Bakaj dhe janë në tratativa dhe për Plakun, duket se blutë kanë menduar se me kaq merkato e dimrit është e mbyllur. Dhe argumenti tjetër që i zbeh tratativat e bluve me Beqirin është dhe fakti që dinamovitët janë të kënaqur nga mbrojtja. Duke e cilësuar të "blinduar" me Putinçanin në të djathtë, në qendër Pishën e Malakarnen, por dhe në të majtë Delmonten, por shto këtu dhe Xhafën, Malotën, apo dhe Peqinin, atëherë drejtuesit janë bindur që nuk mund ta marrin Beqirin. Megjithëse tekniku Muça e pat pëlqyer idenë e ardhjes së Beqirit te Dinamo, sepse kështu do të mund të dublonte pozicionin në krahun e majtë të mbrojtjes, mbetur vetëm me Delmonten. Sipas Beqirit, dinamovitët i kanë thënë që për 2-3 ditë do t'i kthejnë përgjigje, po ose jo. "Nuk është puna që bisedat kanë ngecur te unë. Janë dinamovitët që janë duke u menduar dhe tani pres të më kthejnë përgjigje", ka nënvizuar Beqiri dje, teksa është kontaktuar në celular nga "Panorama".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›