Kryeministri Berisha : Brenda vitit 2008 , internet me akses të plotë në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Çermë-Shkumbin”
Kryeministri Berisha gjatë rrugës për në Divjakë , ku po zhvillon turin “Shqipëria në NATO”, u prit në fshatin Çermë nga nxënësit dhe stafi pedagogjik i Shkollës së mesme të Bashkuar “Çermë-Shkumbin”, të cilët kishin dalë në rrugë për ta përshëndetur.
Gjatë këtij takimi mjaft të përzemërt Kryeministri Berisha bisedoi me stafin pedagogjik dhe nxënësit e kësaj shkolle për ecurinë e mësimdhënies si dhe mbështetjen që mund të japë qeveria për përmirësimin e këtij procesi.
Stafi pedagogjik e njohu Kryeministrin Berisha me rezultatet e larta të kësaj shkolle. 90 % e maturantëve që përfundojnë ciklin mësimor në këtë shkollë të mesme, ndjekin studimet e larta.
Por stafi pedagogjik, në bisedë me Kryeministrin Berisha, tha se mësimi në këtë shkollë zhvillohet me turne për shkak të numrit të madh të të rinjëve që preferojnë të ndjekin mësimin në bankat e kësaj shkolle.
Kryeministri Berisha u premtoi mësuesve dhe nxënësve të Shkollës së Mesme të Bashkuar “Çermë-Shkumbin” se qeveria do të studiojë planin për zgjerimin e ambjenteve të kësaj shkolle ose ndërtimin e një godine të re.
Stafi pedagogjik e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe e informoi për përfundimin e laboratorit të informatikës. Kryeministri Berisha u premtoi mësuesëve dhe nxënësve se brënda vitit 2008 shkolla e tyre do të ketë akses të plotë interneti që të gjithë ata , por edhe të rinjtë e zonës të kenë mundësi të “lundrojnë” në internet, për të zgjeruar dijet e tyre. Më pas Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e kësaj shkollë për stafin pedagogjik të kualifikuar dhe nivelin e lartë të mësimdhënies .