Kryeministri Berisha : Arti shqiptar është pasaporta më e mirë e talentit shqiptar në botë
Ilir Kerni, pas një karriere shumë të suksesshme si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Kroaci, ndodhet në Shqipëri për një bashkëpunim të ri me Teatrin e Operas dhe Baletit me rastin e festave të Nëntorit.
Kryeministri Berisha i shprehu artistit të madh se Shqipëria krenohet me personalitete të ketij kalibri dhe se kontributi i Ilir Kernit në Teatrin e Operas dhe Baletit shqiptar duhet të ndihmojë për ta ngritur nivelin artistik të tij në një nivel europian.
Jemi në një moment kur po jetojmë orën globale, qeveria duhet të krijojë mekanizma të tillë që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga ora globale dhe këta artistë të mëdhenj që punojnë e jetojnë nëpër botë të japin eksperiencën e tyre në atdhe, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, baletmaestri Ilir Kerni e falenderoi Kryeministrin Berisha për vëmendjen dhe mbështetjen e përherëshme ndaj artit shqiptar si dhe tha më tej se qeveria shqiptare po hap më në fund një kapitull të ri për të afruar personalitetet shqiptare të artit dhe fushave të tjera.
Kryeministri Berisha theksoi se arti shqiptar është pasaporta më e mirë e talentit shqiptar në botë ndaj të gjithë celebritetet shqiptare që jetojnë e punojnë jashtë vendit duhet të ndiejnë interesin kombëtar ndaj tyre dhe qeveria shqiptare do të ofrojnë mbështetjen maksimale për ta çuar artin shqiptar në nivelet më të larta.