E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së KESH, mënyra më e mirë e menaxhimit të energjisë dhe burimeve të saj

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Seminarit për privatizimin e rrjetit të Shpërndarjes së KESH, të organizuar nga Ministria e  Ekonomisë, Tregtisë dhe energjetikës në bashkëpunim me USAID dhe Shoqatën e energjisë së Shteteve të Bashkuara (USEA) me qëllim diskutimin për privatizimin e aseteve të shpërndarjes së KESH.

Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha vlerësoi procesin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, si një problem jashtëzakonisht të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Kryeministri vuri në dukje se sektori energjetik shqiptar  vazhdon të përballet me pasojat shumë të rënda të një politike absurde 30 vjeçare e cila u karakterizua nga mungesa totale e investimeve në burime të reja energjetike.

KESH - u shpreh Kryeministri, megjithë përpjekjet e bëra në drejtim të përmirësimit te menaxhimit, nuk i ka arritur objektivat e caktuara. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e një menaxhimi tjetër të energjisë dhe burimeve të saj në këtë vend, Kryeministri theksoi se mënyra më e mirë, është privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së KESH. Në këtë kontekst, kryeministri  falënderoi USAID-in dhe IFC-në  për  ndihmesën e tyre  shumë të çmuar në procesin e privatizimit të shpërndarjes.

Gjithashtu, Kryeministri garantoi se ky proces i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë, për realizimin me sukses të tij.

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se gjatë këtyre dy viteve qeveria ka ndërmarrë një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj sektorit energjetik, duke inkurajuar nëpërmjet ligjit të ri, projektimin gjatë këtij viti dhe ndërtimin në vitet që vijnë të HEC –ve të të gjitha përmasave.

Kryeministri vlerësoi negociatat e bëra me sektorin privat në drejtim të investimeve si dhe siguroi se nuk do të mungojnë investimet publike për të patur në një kohë sa më të shkurtër prodhim të mjaftueshëm të energjisë termike. Qeveria, shtoi kryeministri mbetet e hapur ndaj të gjitha burimeve të energjisë, përfshi këtu edhe energjinë nukleare.

Takimi i sotëm u zhvillua ne kuadrin  e Programit te Ri të USAID për privatizimin e Shpërndarjes, i cili do të ndihmojë qeverinë shqiptare për plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, rregullator dhe tregtar lidhur me privatizimin e shpërndarjes së KESH.

Në këtë takim ishin të pranishëm Ministri i Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës, zoti Genc Ruli, drejtori i USAID, zoti Edëard Landau, menaxheri i USEA, zoti Wiliam Polen  përfaqësues të IFC, Bankës Botërore, ekspertë nderkombetare të energjisë, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›