ri Berisha, pasi i uroi Ministrit të Jashtëm të Portugalisë mirëseardhjen, e falënderoi atë për mbështetjen dhe interesimin që Portugalia dhe qeveria e saj kanë treguar për zhvillimin dhe p&
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Ministrin e Jashtëm të Portugalisë, z.Luis Amado.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi Ministrit të Jashtëm të Portugalisë mirëseardhjen, e falënderoi atë për mbështetjen dhe interesimin që Portugalia dhe qeveria e saj kanë treguar për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë.
Në këtë aspekt Kryeministri Berisha falënderoi Ministrin Amado për mbështetjen e Portugalisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Procesin e Barcelonës.
Kryeministri u ndal në marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve si dhe në ato me Bashkimin Europian, duke u shprehur se Shqipëria është shumë e interesuar t’i zhvillojë ato më tej. Hapja shumë shpejt e një përfaqësie diplomatike të Shqipërisë në Lisbonë, vijoi Kryeministri, do t’i çojë nivelet e bashkëpunimit në një standard më të lartë.
Në këtë kontekst Kryeministri e cilësoi vizitën e Ministrit të Jashtëm të Portugalisë si një eveniment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Aktualisht Portugalia drejton Presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Kryeministri Berisha e njohu Ministrin e Jashtëm të Portugalisë me ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke pasur si qëllim arritjen e dy objektivave prioritare të Shqipërisë; integrimin në NATO dhe në BE.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është një demokraci funksionale, dhe po shndërrohet në një vend gjithnjë e më të sigurt, me një rënie drastike të treguesve të kriminalitetit gjatë viteve të fundit, ku shteti ligjor po konsolidohet çdo ditë dhe vendi po i afrohet gjithnjë e më tepër integrimit në NATO dhe BE.
Prioritar për ne, tha Kryeministri, është edhe implementimi i MSA-së dhe Shqipëria është në rrugë të mbarë në realizimin e kritereve ekonomike e politike, gjë që u vu në dukje edhe në raportin e progresit të BE-së.
Kryeministri Berisha u ndal në progresin e reformave që Shqipëria ka bërë në ekonomi, në fushën e mbrojtjes, sistemin e taksave, reformën zgjedhore, investimet në fushën e energjisë dhe për balancimin e prodhimit të saj, reformën në arsim, reformën në sistemin shëndetësor, thithjen e investimeve të huaja, lehtësimin e barrës fiskale, dixhitalizimin e procedurave etj.
Më hollësisht Kryeministri e njohu Ministrin e Jashtëm të Portugalisë me luftën e pandalshme kundër korrupsionit si dhe me tolerancën zero kundër krimit të organizuar, duke e vënë theksin në rezultatet e rëndësishme të arritura në këtë drejtim.
Të gjitha këto, shtoi Kryeministri Berisha, kanë çuar në krijimin e një klime më të favorshme për biznesin e huaj dhe vendas. Në këtë aspekt, vijoi Kryeministri, Shqipëria është shumë e interesuar në thithjen e investimeve portugeze dhe potencialet për këtë janë të mëdha.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Portugalisë, pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore tha se ai vinte në emër të qeverisë së tij për t’i përcjellë Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij vlerësimet më të larta për arritjet dhe sukseset e qeverisë shqiptare në këto dy vite në realizimin e reformave, si dhe siguroi për mbështetjen e qeverisë portugeze për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO, integrim që qeveria portugeze do ta stimulojë me të gjitha mënyrat.
Integrimi në NATO, u shpreh Ministri i Jashtëm i Portugalisë, është qëllimi juaj parësor dhe më i afërt dhe ne mendojmë se ju jeni në rrugë shumë të mirë në realizimin e sfidave që integrimi në NATO kërkon dhe kjo ju afron me arritjen e qëllimit tuaj.
Gjithashtu ai shtoi se Portugalia është mjaft e interesuar të jetë partnere e Shqipërisë në bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në balancimin e prodhimit të energjisë, në turizëm, si dhe në teknologjinë e avancuar, ku Portugalia ka arritur standarde shumë të larta. Viti 2008, u shpreh Ministri i Jashtëm i Portugalisë, do të jetë vendimtar në këtë aspekt.
Ministri i Jashtëm i Portugalisë tha se në politikat rajonale, Portugalia mendon se stabiliteti në Ballkan varet shumë nga vizioni i BE-së dhe mbështetja për të nxitur bashkëpunime dhe strategji të reja mes vendeve të rajonit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën në Kosovë ku Ministri i Jashtëm portugez shprehu mbështetjen e qeverisë portugeze për zgjidhjen sa më shpejt të statusit të Kosovës dhe dyja palët shprehën mbështetjen për Planin Ahtisaari dhe për rolin stabilizues që pavarësia e Kosovës do të luajë në rajon e më gjerë.