Kryeministri Berisha: Investimet në komunën Synej janë 10-fishuar në këto katër vjet

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në komunën Synej, ku fillimisht u ndal në fshatin Bogo dhe inauguroi përfundimin e punimeve të sistemim asfaltimit të rrugës që lidh këtë fshat me Peqinajn dhe Synejin. Rruga me gjatësi 5.6 kilometër dhe me vlerë 50 milionë lekë lehtëson daljen në bregdet të fshatrave të kësaj komune.
Më pas, Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e komunës Synej, i cili furnizon me 24 orë ujë të cilësisë shumë të mirë 7 mijë banorë të kësaj zone, si dhe bulevardin e kësaj komune, me vlerë 38 milionë lekë.
Investimet në komunën Synej janë dhjetëfishuar në krahasim me katër vite më parë. Ndër të tjera, në këtë komunë gjatë këtyre katër viteve janë asfaltuar 20 kilometër rrugë, ku përfshihen 9 rrugë rurale dhe bulevardi kryesor.
Në vazhdim, Kryeministri Berisha zhvilloi dhe një takim me banorë të komunës Synej.
Fjala e Kryeministrit Berisha, drejtuar banorëve të Synejit:
“Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të ujësjellësit të ri, i cili furnizon me 24 orë ujë të një cilësie shumë të mirë 7 mijë banorë të kësaj zone. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë se në këtë komunë, në përputhje me programin tonë të zhvillimit të qëndrueshëm rural janë asfaltuar 20 kilometra rrugë. Në këtë fshat janë asfaltuar 9 rrugë dhe bulevardi kryesor është në ndërtim. Pra, në tërësi ne po realizojmë këtu urbanizimin e plotë të fshatit dhe komunës tuaj. Syneji është një nga komunat më të fuqishme të vendit, si në potencialin e saj turistik ashtu dhe në atë bujqësor. Unë jam këtu për t’i thënë kryetarit tuaj të komunës të bëjë gati çdo projekt për komunën e Synejt. Ne kemi rritur dhjetë herë investimet në këtë komunë, krahasuar me katër vite më parë. Absolutisht që edhe dhjetë herë të tjera do t’i rrisim deri sa Synej të shndërrohet në një lagje të vërtetë të qytetit. Synej ka një perspektivë të madhe turistike. Kompani të mëdha botërore kanë treguar dhe tregojnë interes të madh për brigjet e kësaj komune.
Vëllezër dhe motra,
Po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe ne kemi ndryshuar Shqipërinë, kemi ndryshuar Synejn, por Shqipëria dhe Synej kanë nevojë për ndryshime të tjera akoma edhe më të mëdha, të cilat ne do t’i bëjmë. Syneji, Kavaja dhe Shqipëria kanë nevojë që ju, të dashur qytetarë, të gëzoni ato standarde që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ju kudo që jeni të keni ujë 24 orë, të keni rrugë të asfaltuara, të keni shkolla moderne, të keni pensione të njëjta me disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të keni mundësi të gëzoni shërbimet që gëzojnë në qytet. Kjo është Shqipëria evropiane që ne premtojmë.
Ne jemi të bindur se ky është një projekt i vështirë dhe ambicioz, por në rast se ne asfaltuam në katër vite rreth 6 mijë kilometra rrugë, absolutisht që në katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij vendi ku ka prani të fermerëve shqiptarë. Në rast se ne në katër vite ndërtuam 720 ujësjellës, një ndër të cilët është edhe ky që inauguruam sot, ju garantoj ju se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë familje shqiptare që të mos ketë ujë 24 orë. Në rast se në katër vitet që kaluan, ne dhjetërafishuam mbështetjen për fshatin me rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, por edhe me financime për projekte bujqësore, në katër vitet që vijnë do të mbulojmë me subvencion të gjitha sipërfaqet tuaja të mbjella, do të subvencionojmë inputet tuaja, do të subvencionojmë edhe naftën. Kjo do të bëhet mbi bazën e sipërfaqeve të mbjella. Gjithashtu, ne do të financojmë çdo projekt tuajin.
Ju hartoni projektet për fermat tuaja, ndërsa ne do t’i financojmë ato. Kjo sepse vetëm në këtë mënyrë ju mund të ndjeni se jeni fermerë evropianë dhe mund të konkurroni me fermerë të vendeve të tjera, të cilët kanë mbështetje të madhe.
Vëllezër dhe motra,
28 qershori është një ditë e madhe, e cila vjen pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, vjen pasi 26 vende anëtare të NATO-s firmosën për anëtarësimin e Shqipërisë, vjen pasi 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian firmosën Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me ne dhe pranuan të dorëzojmë kërkesën për anëtarësim të plotë. Ne asnjëherë në histori nuk kemi pasur një besim kaq të madh të dëshmuar nga Evropa dhe bota. Ata janë miqtë tanë.
Ndaj, këto zgjedhje që vijnë nuk janë vetëm për veten tonë, por janë edhe për të shpërblyer besimin e madh që kombet e vendeve mike, qeveritë dhe parlamentet e tyre dëshmuan duke firmosur për Shqipërinë me besim e plotë në demokracinë e saj, në njerëzit e saj dhe në ekonominë e tregut.
Ky proces zgjedhor është procesi më modern në historinë e vendit. Bazohet në dokumentacionin më të shkëlqyer, në një dokumentacion tërësisht dixhital. Por, ju keni një detyre madhore, marrjen e kartave të identitetit. Ata që nuk i kanë marrë t’i merrni letërnjoftimet gjatë këtyre ditëve.
Unë dua të përshëndes vëllazërisht 1 milionë e 250 mijë shqiptarë që kanë aplikuar deri më tani. 1 milionë e 250 mijë shqiptarë i;u përgjigjen detyrimit të tyre qytetar dhe thirrjes së qeverisë shqiptare, por ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk i kanë marrë ende që këto ditë të marrin letërnjoftimet, si detyrim madhor qytetar ndaj vetes, familjes dhe vendit të tyre. Është shans i madh që të votojnë me datën 28 qershor me standardin më moderne në Evropë, me letërnjoftimet më të reja dhe më moderne në Evropë dhe ti dëshmojmë vëzhguesve nga e mbarë bota se për ne vota është themeli i demokracisë.
Unë kam besim të madh tek ju, tek mbarë qytetarët e Kavajës dhe Shqipërisë, se këto ditë që të gjithë ata që nuk i kanë marrë letërnjoftimet do t’i marrin dhe do të shkojnë më 28 qershor të sigurt për një fitore të dytë, si ajo e 22 marsit.
Ne e meritojmë atë. Shqipëria evropiane është ëndrra që do të shndërrojmë në realitet këto katër vite.
Ne do të fitojmë. Fitore!”
05/06/2009