E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Përdorimi i internetit në përqindje të lartë duhet të shndërrohet në kredo kombëtare

- Brenda muajit mars të vitit që vjen do të përfundojë instalimi i kabineteve të informatikës në të gjitha shkollat e vendit dhe më pas, hapi tjetër do të jetë shtrirja e përdorimit të internetin në çdo familje dhe kudo në komunitet.

Gjatë vizitës në zonën e Malësisë së Madhe, Kryeministri Berisha  mori pjesë në përurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme “Dod Kacaj”, në  Bajzë. Vlera e investimit të realizuar nga buxheti i shtetit për këtë projekt, kap shifrën 22.6 milionë lekë. Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe të Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, etj.

Kryeministri Berisha vizitoi më pas ambientet e rikonstrukturara të shkollës dhe u ndal në kabinetin e informatikës së saj. Në bashkëbisedim me mësues dhe nxënës të shkollës, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për një përqendrim edhe më të madh në drejtim të përhapjes së përdorimit të internetit dhe lundrimit në hapësirat pa fund të tij. “Ne do të instalojmë kabinetet e informatikës në të gjithë vendin brenda muajit mars të vitit që vjen dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe dhe një barrë shumë të fuqishme, në mënyrë që ne të shumëfishojmë me shpejtësi numrin e qytetarëve që përdorin internetin”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri kërkoi nga nxënësit që ta përvetësojnë përdorimin e internetit sa më shpejt dhe, pas kësaj faze, të veprohet me hapin tjetër; vënien e këtij shërbimi në dispozicion të komunitetit, prindërve, familjarëve të tjerë, të cilët duhet të trajnohen për të mësuar internetin. Ministra e Arsimit, tha Kryeministri, do t’u paguajë orë suplementare mësuesve për këtë proces. “Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi parimit se; aq sa e ndërlikuar duket ky proces, aq i thjeshtë është për t’u përdorur. Është një doktrinë që bazohet në ikona. Po të ndjekësh ikonat, ecën pafundësisht në këtë botë pafund. Në këtë mënyrë ne duhet të rrisim shkallën e njohjes së internetit dhe për qeverinë nuk është problem që të ndërmarrë një politikë dhe t’u japë mundësinë çdo familjeje shqiptare të blejë një kompjuter”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se për shtrirjen e përdorimit të internetin në çdo familje do të shikohet çdo mundësi; dyfishimi i numrit të abonentëve në Albtelekom, bashkëpunimi me sistemin ADSL, apo gjetja edhe e mënyrave të tjera të transmetimit të internetit.

Përdorimin e internetit në masë të gjerë, tha Kryeministri, “duhet ta shndërrojmë në një kredo kombëtare”.


19/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›