E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Shqipëria, një demokraci funksionuese që hedh hapa të vendosura drejt integrimit euro-atlantik

Gjatë vizitës së tij në Angli, Kryeministri Berisha vizitoi Universitetin e Oksfordit ku u ftua të mbajë një ligjëratë në  Sallën e Leksioneve të Oxford Union, Shoqërisë së fjalës së lirë.
Oxford Union, është krijuar në vitin 1823 dhe në këtë sallë kanë mbajtur leksione personalitetet më të shquara të politikës botërore si, Theçer, Klinton, Regan, Mandela, Arafat,  etj,si dhe shumë personalitete të fushës së artit dhe të kulturës.

Kryeministri Berisha u shoqërua nga Presidenti i Oxford Union, që përfaqëson studentin më të mirë të Universitetit, shumë nga të cilët  kanë vazhduar karrierën e tyre në nivelet më të larta të jetës politike në Britani dhe jashtë saj.
Mes  një interesimi të madh nga ana e studentëve të pranishëm, Kryeministri Berisha falenderoi për ftesën e bërë dhe u  shpreh se ndihet i nderuar që flet në një tribunë, e cila për pothuajse dy shekuj njihet si tribuna e fjalës së lirë.
Më pas, Kryeministri bëri për auditorin, një prezantim të Shqipërisë, si vendi me pozitë të favorshme gjeografike dhe potenciale të mrekullueshme natyrore, si dhe i njohu të pranishmit me gjuhën dhe historinë e vendit duke nisur nga ilirët e deri në ditët tona. “Historia e kombit tim - u shpreh Kryeministri-  nuk është një histori e sheshtë, përkundrazi është e shoqëruar nga vështirësi, madje edhe drama të vështira.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka ngjallur në shekuj interesin e historianëve, shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, analistëve anglezë, të cilët, në tërësi, kanë realizuar librat dhe studimet më të mira dhe më të më të ndershme, për të vërtetat e lidhura me shqiptarët.

Më pas, kryeministri u ndal në zhvillimet politike të Shqipërisë në 15 vitet e fundit, në përpjekjet dhe arritjet e saj për ndërtimin e shoqërisë së lirë dhe demokratike.Kryeministri u shpreh se Shqipëria është sot, vendi i pluralizmit politik të konsoliduar, i demokracisë së re por që funksionon, i respektimit të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe minoriteteve, i mediave të lira, vendi i pluralitetit religioz dhe tolerancës së shkëlqyer fetare dhe etnike.

Kryeministri i njohu studentët me objektivat dhe prioritetet e qeverisë që ai kryeson, të cilat synojnë konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe shndërrimin e Shqipërisë nëpërmjet reformave në fushën ekonomike, në vendin më tërheqës për investimet e huaja.
Gjithashtu, kryeministri bëri një ekspoze të masave të ndërrmarra nga qeveria për një reformë të thellë në sistemin arsimor, për afrimin e vendit në moshën dixhitale për dyfishimin e numrit të studentëve në universitetet e vendit, si dhe rritjen e buxhetit për arsimin, për të krijuar në këtë mënyrë kushte sa më optimale dhe bashkohore për nxënësit dhe studentët.

Kryeministri vuri në dukje se të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria, bënë të mundur shpejtimin e procesit të integrimit të vendit. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, u shpreh Kryeministri, anëtarësimi i vendit të tyre në BE dhe NATO përbëjnë projektet më madhore, ndaj dhe jemi të vendosur të ndërmarrim dhe zbatojmë të gjitha reformat e dosmosdoshme për të merituar këto anëtarësime.”
 
Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryeministri Berisha theksoi në fjalën e tij se Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe mbështet projektin e Presidentit Ahtisari si projektin më të mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Ne mbështesim përpjekjet aktuale të Trojkës, u shpreh kryeministri, por mendojmë se zgjatja e mëtejshme e zgjidhjes së statusit të Kosovës kërcënon seriozisht stabilitetin e rajonit.

Duke përfunduar fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se, "ne përshëndesim dokumentin e paraqitur nga autoritetet e Kosovës për bashkëpunim, pajtim dhe miqësi midis serbëve dhe kosovarëve dhe besojmë se shqiptarët dhe serbët duhet të angazhohen për një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet tyre."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›