Kryeministri Berisha takohet me Sekretarin e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, zotin Des Browne

Kryeministri Berisha u prit nga Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Zoti Des Browne, me të cilin diskutoi mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha e njohu Sekretarin Browne me reformat e ndërmarra nga qeveria për reformimin e Forcave të Armatosura, duke u ndalur në reformat strukturore, rritjen e aftësisë së personelit ushtarak, shndërrimin e ushtrisë në ushtri profesioniste brenda vitit 2010, rritjen e buxhetit për ushtrinë në 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kryeministri e njohu gjithashtu me angazhimin dhe sukseset e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sekretari Des Browne i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen për angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë në operacionet ushtarake në Afganistan dhe Irak dhe bashkëpunimin e saj të ngushtë me NATO-n. Ai vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për të rritur prezencën ushtarake në Afganistan dhe mirëpriti vullnetin e Kryeministrit Berisha për të konsideruar edhe mundësinë e ofrimit të mbështetjes me personel, në kuadrin e programit të NATO-s për trajnimin e forcave policore dhe ushtarake afgane.
Duke përshëndetur arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Sekretari Des Browne theksoi se vazhdimi i kësaj lufte është i rëndësishëm jo vetëm për integrimin e Shqipërisë në NATO, por edhe për sigurinë dhe mirëqënien e të gjitha vendeve europiane, pasi krimi i organizuar nuk mbetet asnjëherë i izoluar, por kapërcen kufijtë e çdo vendi.
Kryeministri Berisha falënderoi Sekretarin Des Browne për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga qeveria britanike për reformat në fushën e mbrojtjes dhe të rendit, në mënyrë të veçantë për ndihmën në fuqizimin e policisë dhe organeve të luftës kundër krimit. Sekretari britanik i Mbrojtjes shprehu vullnetin e qeverisë britanike për të vazhduar këtë mbështetje dhe premtoi ndihmë të mëtejshme me ekspertizë për organet shqiptare të rendit dhe sigurisë.
Sekretari Des Browne shprehu mbështetjen e plotë të Britansië së Madhe për integrimin e Shqipërisë në NATO. Ai u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë është në NATO, por për të arritur këtë gjë është e nevojshme që qeveria të vazhdojë të demonstrojë angazhimin e saj në reforma, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që është një nga testet kryesore për të merituar ftesën për anëtarësim.