E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Zbatimi i procedurave dixhitale në fusha të ndryshme, garanton transparencë dhe godet korrupsionin

-         -  Duhet të shohim tek procedurat dixhitale levën më të fuqishëm të transparencës

-          - Ne duhet të bëjmë gjithçka për shtrirjen dhe ridimensionim më të madh të provimeve dixhitale në sistemin tonë arsimor

-          - Hapja, në bashkinë  e Tiranës, e sportelit unik për lejet dhe licencat përbën një hap tjetër të madh në luftën kundër korrupsionit

Kryeministri Berisha theksoi sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se reformat në fushën e luftës kundër korrupsionit, duhet të jenë një proces i pandërprerë. Duke u përqendruar në këtë temë, kryeministri përgëzoi Ministrinë e arsimit, e cila aplikoi për herë të parë në historinë e vendit, provimin  e shtetit, dixhital.

Duke  e vlerësuar këtë si një hap të madh, të rëndësishëm, kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka nga ministria e arsimit dhe strukturat përkatëse për shtrirjen dhe ridimensionim më të madh të provimeve dixhitale në sistemin tonë arsimor. ” Ministria e arsimit aplikoi për herë të parë në historinë e vendit, provimin  e shtetit dixhital, jashtë çdo lloj ndërhyrje dhe indiference, jashtë çdo lloj praktike të përfolur, ose korruptive. Ky fillim, ky hap i madh, i parë le të na shërbejë ne vetëm si projekti pilot për ta shtrirë dora dorës në të gjitha universitet publike dhe private te vendit.” u shpreh kryeministri.

Duke sjellë shembullin e disa vendeve të zhvilluara evropiane, të cilat aplikojnë këtë sistem, kryeministri tha se edhe Shqipëria mund të renditet krahas tyre për të rritur cilësinë e sistemit të saj arsimor.

Kryeministri theksoi se do të ishte shumë e rëndësishme që dekanët dhe rektorët që do të fillojnë detyrën në këto poste të kenë si përparësi instalimin e praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet dhe degët që ata drejtojnë. “Thirrja ime më miqësore për rektorët dhe dekanët që nisin detyrat, të zgjedhur për herë të parë apo me mandate të rifreskuara, le ti venë vetes detyrë për ta patur si një trashëgimi të tyre, instalimin në maksimumin e mundshëm të praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet dhe degët që ata drejtojnë.” u shpreh kryeministri.

Duke cilësuar procedurat dixhitale, si levën më të fuqishme të transparencës, kryeministri përgëzoi Bashkinë e Tiranës për hapjen e sportelit unik për lejet dhe licencat. “Ky sportel - u shpreh kryeministri - së bashku me sportelin One Stop Shop Qendror, e cila ka dy vjet që funksionin, përbën një hap tjetër të madh në luftën kundër korrupsionit.”

Kryeministri kërkoi nga ministria e brendshme që ky shembull për lejet dhe licencat tu mundësohet të gjitha bashkive të mëdha kryesore te vendit. “Është shumë e rëndësishme tu garantojmë mbështetjen e duhur, të kërkojmë mbështetjen e IFC dhe atyre që u asistuan bashkisë së Tiranës, e cila në një kohe rekord realizoi, ndërtoi një institucion shumë të çmuar për transparencën dhe eficencën.”, tha kryeministri.

Në fjalën e tij për këtë temë, kryeministri u shpreh:

“Sot dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj, dy çështje, nga më të rëndësishmet, së pari reformat në fushën e luftës kundër korrupsionit, që duhet të jenë një proces i pandërprerë. Në këtë rast, unë dua të përgëzoj ministrinë  e arsimit, e cila aplikoi për herë të parë në historinë e vendit, provimin  e shtetit dixhital, jashtë çdo lloj ndërhyrje dhe indiference, jashtë çdo lloj praktike të përfolur, ose korruptive.

Ne duhet të bëjmë gjithçka, zoti ministër, për shtrirjen dhe ridimensionimin më të madh të provimeve dixhitale në sistemin tonë arsimor. Ky fillim, ky hap i madh, i parë, le të na shërbejë ne, vetëm si projekti pilot për ta shtrirë dora-dorës, në të gjitha universitet publike dhe private te vendit. Në qoftë se në Gjermani, studenti i mjekësisë, pas dy viteve te para parapregatitore, për të kaluar në dy vitet  e tjera krijuese, kalon një provim të tillë dhe kjo ndodh rëndom edhe në vende të tjera të zhvilluara, në Shqipëri nuk ka asnjë arsye pse kjo të mos ndodhë, pse kjo të mos bwhet.  Provimi i shtetit, në këtë formë është konceptuar për ata, të cilët ne i quajmë profesione te rregulluara. Sa më pak të tilla të kemi aq më mirë do të jetë, pra profesione të rregulluara. Qeveria nuk duhet të rendë pas rregullimeve të mëdha, qeveria duhet të rendë pas transparencës më të madhe dhe në këtë aspekt zbatimi i këtij projekti përbën  një arritje shumë të madhe, por duhet ta konsiderojmë vetëm si hapin e parë të rëndësishëm bazë, për ta shtrirë këtë, në të gjitha projektet dhe jo vetëm në projektet e profesioneve të rregulluara, për ta shndërruar këtë në një praktike korrente brenda universiteteve, prandaj dhe thirrja ime më miqësore për rektorët dhe dekanët që nisin detyrat të zgjedhur për herë të parë apo me mandate të rifreskuara le ti venë vetes detyrë për ta patur si një trashëgimi të tyre instalimin në maksimumin e mundshëm të praktikave të provimeve dixhitale në fakultetet dhe degët që ata drejtojnë. Do të jetë një kontribut kolosal për vendin. Korrupsioni është një fenomen i përjetshëm pothuaj që ka në bazë dhe në themelet e tij genet e  babëzisë së njeriut dhe ai mund të përballet me sukses vetëm me një luftë të pandërprerë. Para se të vija këtu po shihja një dokument të Ministrisë së Punëve Publike që më dërgonte drejtoria e targave dhe e kontrollit. Në të gjitha segmentet e vendosjes së praktikave dixhitale ka një ndryshim të madh cilësor në çdo aspekt. Pra ne duhet të shohim tek procedurat dixhitale, levën më të fuqishëm të transparencës.

Sot, unë kisha një takim të veçante me drejtorin për reformën e Këshillit të Evropës. Në kuadrin e bashkëpunimit të mëtejshëm, të frytshëm me këtë institucion, ndër të tjera unë i kërkova të nisim menjëherë punën, të ndihmojnë për heqjen  e imuniteteve, e garantova se qeveria është e gatshme të votojë për heqjen e imuniteteve, qoftë me ligjet organike siç ka rekomanduar Komisioni i Venecias, qoftë me ndryshimin e kushtetutës për imunitetet siç kërkon opozita. Rëndësi kryesore ka që zyrtarët shqiptarë deputet , gjykatës apo çfarëdo që të jenë ato të mos kenë imunitet. Kjo është më e rëndësishmja, ndaj edhe zoti ministër, ne nuk mund të reshtim dhe nuk duhet të reshtim asnjëherë për të avancuar axhendën tonë në interesin më të mirë të vendit në interesin më të mirë të procesit të integrimit. Është për tu përgëzuar, në këtë kontekst, hapja në bashkinë  e Tiranës, e sportelit unik për lejet dhe licencat. Së bashku me sportelin, me One Stop Qendror, e cila ka dy vjet që funksionin, kjo përbën një hap tjetër të madh në luftën kundër korrupsionit.

Zoti ministër i brendshëm , ky shembull për lejet dhe licencat duhet tu mundësohet të gjitha bashkive të mëdha kryesore te vendit. Është shumë e rëndësishme tu garantojmë mbështetjen e duhur, të kërkojmë mbështetjen e IFC dhe atyre që u asistuan bashkisë së Tiranës, e cila në një kohe rekord realizoi, ndërtoi një institucion shumë të çmuar për transparencën dhe eficencën. E vërteta është dhe për këtë duhet të jemi realist, që problemet  e Bashkisë ë Tiranës, nuk i ka patur as bashkia e Vlorës, as e Korçës, a e Shkodrës. Nuk e them këtë për politikë, por e them bazuar në të të dhënat e studimeve të përsëritura të BB, e cila në 2 studime rajonale nxjerr bashkinë  e Tiranës, vendosur në shkallaren e 183 vendeve , në vendin e parafundit, apo të tretë nga fundi. Ndërkohë që Shkodra dhe Vlora në këto studime rezultonin për procedurat  e lejeve të ndërtimit ,  të barabarta  me Londrën apo Parisin. Sidoqoftë ne duhet të bëjmë gjithçka të rrisim transparencën në maksimum në çdo veprim tonin.


29/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›