Kryeministri Berisha merr mesazhe ngushëllimi për tragjedinë e Gërdecit
Kryeministri ka marrë sot telegrame ngushëllimi për ngjarjen e Gërdecit, nga kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z Menduh Thaçi, Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa, nga Bashkimi Demokratik Kombëtar në Shkup, nga Partia për Veprim Demokratik, Preshevë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, z Bexhet Pacolli, etj.
Në këto mesazhe, ata shprehin ngushëllimet e sinqerta për këtë fatkeqësi gjithëkombëtare dhe ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe mbarë kombin shqiptar, ndërsa ju urojnë shërim të shpejtë të lënduarve nga kjo tragjedi. Gjithashtu, ata shprehin solidaritetin dhe angazhimin për të kontribuar me të gjitha mundësitë në zbutjen dhe lehtësimin e situatës së krijuar.
Kryeministri Berisha ka marrë mesazh ngushëllimi edhe nga kryetari i komunës së Bujanovcit Agip Arifi. "Kjo fatkeqësi e papritur që i ndodhi qytetarëve të Vorës në veçanti dhe popullit shqiptar në përgjithësi i tronditi bashkëkombasit tuaj kudo që jetojnë, duke marrë parasysh se shqiptarëve gjatë rrugëtimit të historisë i kishin ndodhur edhe më herët raste të tilla tragjike që kishin shkaktuar dhembje të mëdha në familjet shqiptare," thuhet në mesazhin e zotit Arifi.
Edhe Unioni i Bashkisive Shqiptare në Kroaci i ka dërguar Kryeministrit Berisha një telegram ngushëllimi për tragjedinë e Gërdecit . "Në këto momente të vështira solidarizohemi me popullin, duke shprehur keqardhje dhe hidhërim për të gjitha pasojat nga kjo tragjedi."
Kryeministri ka marrë një mesazh ngushëllimi edhe nga Arqipeshkëvi Metropolit i Tiranë – Durrës, Imzot Rrok Mirdita, i cili shpreh solidaritetin e bashkësisë katolike në Shqipëri në përballimin e kësaj ngjarjeje. Në këtë mesazh imzot Rrok Mirdita shkruan: “Kisha katolike, përmes strukturave të Caritas-it shqiptar, do të angazhohet fuqishëm në lehtësimin dhe ardhjen në ndihmë të popullsisë së prekur”.
Gjithashtu, një grup miqsh nga Estonia, deputetë, anëtarë të Parlamentit dhe qeverisë së Estonisë, shkruajnë se ndajnë me gjithë zemër dhimbjen me familjarët e viktimave dhe të prekurit nga kjo tragjedi, me qeverinë dhe gjithë popullin shqiptar, në këto ditë të vështira.
Kryeministri ka marrë gjithashtu një telegram ngushëllimi nga z. Michael Granoff, Fondi Shqiptaro-Amerikan, i cili i shpreh Kryeministrit ngushëllimet e tij për ngjarjen tragjike, duke theksuar gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.
Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve (BEI) Dario Scannapieco, me anë të një mesazhi, i ka shprehur Kryeministrit Berisha ngushëllimet e tij dhe të BE-it për këtë ngjarje të rëndë dhe vazhdimin e mbështetjes, duke shrehur gatshmërinë për çdo kërkesë për asistencë teknike apo financiare, që BEI mund të ofrojë në këtë moment të vështirë.