E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave shpjegon masat për mbështetjen financiare të qeverisë për ngjarjen e Gërdecit

Zëvëndës ministri i Financave z. Sherefedin Shehu i shpjegoi sot medias masat për mbështetjen financiare që po ndërmerr qeveria për ngjarjen e Gërdecit. Sipas zv ministrit shpenzimet e përkohshme të akomodimit të familjeve të prekura po përballohen nga fondet e emergjencës civile që kanë qenë të miratuara në buxhetin e shtetit dhe administrohen nga Ministria  e Brendshme.

“Ndërkohë ministria e Financave po përgatitet për të gjetur burimet e nevojshme financiare që do të përdoren për kompensimin e të prekurve nga tragjedia. Përvec fondit të emergjecës do të përdoret fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe fondi i kontigjencës i cili në buxhetin e shtetit është për të përballuar risqe të ndryshme në procesin e zbatimit të tij. Në total është një shumë prej 6 miliard lekësh, që nga vlerësimet paraprake mendojmë se do të mjaftojnë për të përballuar situatën” – ka thënë z. Shehu.
Megjithatë zëvendësministri tha se kësaj shume pritet t’i shtohen dhe donacione të shteteve të ndryshme dhe organizmave të rëndësishme financiare me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie dhe u ka kërkuar ndihmë. Qeveria ka bërë sensibilizimin e tyre dhe ka marrë përgjigje pozitive – ka njoftuar zëvendësministri. 

Një tjetër element i rëndësishëm është ndihma që do japin qytetarët dhe biznese të ndryshme në numrat e llogarive të qeverisë që nga sot janë të hapura në të gjitha bankat e nivelit të dytë. “Kjo do të thotë që të gjithë individët kudo që janë mund të derdhin kontributin e tyre në cdo rreth të Shqipërisë apo dhe jashtë vendit. Të gjithë kontributet që do të derdhen në këto llogari do të menaxhohen nga sistemi i thesarit në një llogari të përqendruar në Bankën e Shqipërisë.  Përsa i përket përdorimit të kontributeve, ndihmat do të bashkohen me fondet e qeverisë shqiptare dhe përdorimi i tyre do të bazohet në procedura të shkruara, do të jetë transparent, i hapur dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të palës së dëmtuar.”   

Ndërkohë zv.ministri ka bërë thirrje që në këtë proces të jenë të bashkuar qeveria dhe grupet e biznesit që kanë shprehur ndjeshmërinë e tyre për këtë ngjarje “Qeveria po hap numra llogarie në të gjitha bankat dhe ne do të ftonim cdo biznes apo grup biznesesh që t’i kanalizojë ndihmat nëpërmejt qeverisë me qëllim që të përfshihen në një program unik, sepse qeveria pavarësisht nga fajet dhe fajtorët ka marrë përsipër kompensimin 100 % të dëmeve në këtë zonë”. Ndërkohë zëvendësministri ka ritheksuar se cdo informacion do të jetë lehtësisht i kontrollueshëm dhe tërësisht transparent dhe pjesmarrje të përfaqësuesve të donatorëve dhe të dëmtuarve në procesin e vendimarrrjes për kompensimin.

I pyetur nga media për kompensimin e biznesit, z. Shehu ka siguruar se “Bizneset do të kenë prioriet pasi në konceptin tonë, bizneset do të ndihmojnë në zbutjen e situatës sidomos të punësimit në këto zona. Por hapi i parë do të jetë vlerësimi i dëmeve, i cili do të bëhet me përparësi tek biznesi i dëmtuar.”
Nga ana tjetër zv ministri ka ftuar të gjithë median elektronike dhe atë të shkruar që të ndihmojë në procesin e publikimit të numrave të llogarisë që qeveria ka hapur si “"NDIHMA PER TE PREKURIT, NGJARJA NE GERDEC"”.

Nurmat e llogarisë që qeveria ka hapur në bankat e nivelit të dytë i gjeni të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së financave në adresën www.minfin.gov.al

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›