Njoftim për shtyp i Komisionit Ndërministror të Emergjencave
Departamenti i Informacionit i Këshillit të Ministrave njofton se sipas Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile janë dërguar në terren pranë zonës së tragjedisë 10 grupe ekspertësh me nga 5 persona secili, të cilët kanë bërë vlerësime të dëmeve materiale, pas ngjarjes së Gërdecit nga ekspertiza janë 349 objekte të verifikuara nga të cilat 4 me dëmtime të rënda, 264 me dëmtime të lehta, 58 shtëpi pa dëmtime, 23 objekte biznesi me dëme të lehta.
Grupet e punës janë pritur mjaft mirë nga qytetarët e Vorës dhe të fshatrave përreth.
Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile njofton se pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme ne Durres janë akomoduar 141 persona, ndërsa, pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes janë akomoduar 50 persona, të cilëve u janë garantuar të gjitha kushtet e nevojshme në ushqim dhe veshmbathje.
Duke filluar nga dita e nesërme fëmijët e familjeve të akomoduara pranë shtëpive të pushimit në Durrës do të nisin rregullisht mësimin pranë një prej shkollave të zonës.