Shqipëria vazhdon të marrë solidaritetin ndërkombëtar për tragjedinë e Gërdecit
Ministrja e Jashtme e Austrisë Ursula Plassnik ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë e Gërdecit. Më 16 mars, Austria ofroi menjëherë një asistencë emergjente për viktimat e fatkeqësisë. Kjo është një asistencë konkrete në shenjë solidariteti. Mendja jonë tani është me familjet e viktimave. Dëshiroj të shpreh dhembjen dhe keqardhjen tonë, u shpreh Plassnik.
Lidhur me kontigjentin e ndihmës për Shqipërinë Ministri Federal i Mbrojtjes i Austrisë Darabos bëri të ditur se Ushtria Federale e Austrisë lëvroi një ndihmë emergjente për viktimat e eksplozionit në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes premtoi një ndihmë nga Ushtria Federale. "Me këtë veprim dëshirojmë të kontribuojmë në zbutjen e dhimbjes së viktimave. Kjo është gjithashtu një shenjë ndihme fqinjësie për vendet mike dhe një solidaritet ndërkombëtar" - u shpreh Darabos.
Paketa e ndihmës u ofrua direkt në aeroportin e Tiranës dhe përmbante rreth një ton disifektantë, medikambente dhe materiale të ndihmës së shpejtë dhe anestezistë në vlerë prej 37 mijë euro.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Z. Alkalaj i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Ministrit te Punëve të Jashtme, z.Lulzim Basha.
Konsullata jonë në Nju Jork njofton se, për t'u ardhur në ndihmë banorëve të komunës Gërdec në Vorë, të prekur nga tragjedia e shpërthimit të depove të municionit, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Gruas "Motrat Qiriazi", e cila drejtohet nga znj. Anna Kohen, ka hapur një numër llogarie dhe ka ftuar diasporën shqiptare në SHBA të kontribuojë për të lehtësuar pasojat e kësaj ngjarjeje.