E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha nderohet me titullin "Qytetar Nderi" i Gjakovës

Në vazhdim të vizitës së tij në rrafshin e Dukagjinit, kryeministri Sali Berisha vizitoi Gjakovën, ku u prit me entuziazëm nga mijëra qytetarë të Gjakovës dhe të krahinave përreth.

Në një ceremoni të veçantë, ku merrnin pjesë me qindra banorë, drejtues të komunës dhe përfaqësues të partive politike të zonës, kryeministrit Berisha iu dha titulli "Qytetar Nderi" i Gjakovës.

Me këtë rast, në fjalën e tij, kryeministri Berisha,ndër të tjera u shpreh:

"Sot përjetoj një nga ditët më të shumëpritura të të gjithë jetës sime. Kryetari dhe parlamenti i komunes më kanë nderuar me një titull shumë të lartë. Por dua t'ju siguroj se titulli më i lartë për mua është se sot jam midis jush. Kam nderin dhe krenarinë e veçantë që sot jam njëri nga ju në këtë sallë, në këtë qytet, që Zoti e bekoi gjak për flamurin, për lirinë, për të ardhmen, për Kosovën, për Shqipërinë, për kombin.

Dua t'ju falenderoj me shumë mirënjohje për këtë pritje madhore.

Kam tre ditë në Kosovë, por sot kam ditën shpirtërore. Kudo ku kalova pashë madhështinë e shpirtit tuaj. Kalova nëpër fshatrat e qytetet, që kasapi i Ballkanit i shkrumboi dhe ju i ringritët në emër të së ardhmes, të lirisë dhe vlerave që ju besoni.

Ju, në një kohe të shkurtër, keni arritur të krijoni vlera të mëdha, thesare të paçmuara për kombin shqiptar. Kombi sot është më i lirë dhe më i sigurtë se kurrë në të ardhmen evropiane.

Nëse ktheni vështrimin në historinë tonë, të gjitha përpjekjet titanike të kombit kanë qenë për të mbrojtur identitetin e tij perëndimor, liritë e vlerat e tij. Askujt nuk i kemi borxhe dhe ecim të sigurtë drejt integrimit evropian, kësaj hapësire që meritojmë. Shqipëria dhe Kosova janë në një garë për t'u vendosur sa më shpejt në piedestalin evropian.

Kosova pret me padurim kurorën e pavarësisë, të cilën sëbashku do ta festojmë. Ju keni humbur qindra e mijëra bij e bija, njerëzit më të dashur, intelektualë të shquar të kombit si BardhylÇaushi e të tjerë. Por me një mençuri të pashembullt, në këto pak vjet, ia dolën ta shndërronin shpirtin e tyre në dritë për Kosovën, për ju dhe të ardhmen.

Kudo që shkoj shoh një Kosovë të ndryshuar, një Kosovë me institucione demokratike. Kosova kurrë s'ka qenë më afër Evropës, më afër integrimit sesa sot, vepër e madhe e juaja, vepër e qindra e mijëra burrave dhe grave që erdhën nga të gjitha anët e botës dhe sëbashku me ju ndërtuan në Kosovë shpirtin e lirë e demokratik të qytetarëve të saj, të qytatarëve të barabartë para ligjit, të qytetarëve që duan të jetojnë me njëri-tjetrin dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat më të çmuara të njeriut.

Kudo, në parlament, në Prekaz, theksova se këtu janë krijuar vlera të madhërishme kombëtare. Kombi nuk njeh një familje tjetër më të sakrifikuar sesa familja e Adem Jasharit. Kombi do ta mbajë mend në histori burrin e madh, Ibrahim Rugova. Kombi krenohet dhe do të krenohet gjithmonë se, brenda pak vitesh, ju e ngritët nga hiri Kosovën e rrënuar dhe e bëtë sërish nuse. Të gjitha këto ju kanë pasuruar shumë jo vetëm juve, por të gjithë shqiptarët kudo që janë.

E rëndësishme është se ne nuk i kemi borxhe askujt. Ne nuk kemi varre askund, përveçse në trojet tona. Por ne dimë të falim e të mos harrojmë. Të përpiqemi t'i faktojmë vetes, t'i faktojmë të gjithë atyre që erdhën dhe bënë një luftë të shejtë për lirinë e të drejtat e qytetarëve të Kosovës, t'i faktojmë bijve e bijave që u martirizuan për liri dhe flamur se ne duam të ndërtojmë një shtet demokratik, një shtet të qytetarëve të barabartë para ligjit, të padiskriminuar nga përkatësia e tyre etnike dhe besimi fetar. Nuk ka pasuri më të çmuar për ne, shqiptarët, sesa toleranca e shkëlqyer fetare. Le t'ia afrojmë këtë të gjithëve, le ta përcjellim këtë mesazh në mbarë Evropën. Ky është kontributi i madh që ne mund të japim në qytetërimin e sotëm evropian".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›