E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon takime me shefat e zyrave ndërlidhëse të grupit të Kontaktit

Të premten pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi në Prishtinë, një takim me shefat e zyrave ndërlidhëse të grupit te Kontaktit, përfshi Austrinë, BE dhe Komisionin Europian. Ai iu përgjigj interesimit të këtyre përfaqësuesve në lidhje me çeshtjet e rendesishme te politikes kosovare.

Ne kete takim ambasadorët vlerësuan thirrrjen që kryeministri Berisha u bëri popullit dhe parlamentit te Kosoves per te shtrirë dorën e pajtimit ndaj komunitetit serb, për të treguar tolerancë ndaj minoriteteve si dhe për të thelluar miqësinë ndërmjet tyre.

Gjithashtu ata vlerësuan riafirmimin që kryeministri Berisha ka bërë për nevojën e respektimit të standarteve në negociatat për statusin final të Kosovës, për respektin ndaj minoriteteve si dhe për të siguruar standartet demokratike.

Në komentet e tij kryeministri falenderoi për kontributin e komunitetit nderkombetar në Kosovë, duke theksuar se progresi i jashtëzakonshëm që eshte bere në Kosovë gjatë ketyre viteve është meritë e përbashkët jo vetëm e popullit kosovar por edhe e komunitetit ndërkombëtar.

Në takim u theksua rëndësia e madhe e të drejtave dhe lirive të njeriut . Kryeministri Berisha theksoi se kjo ka qene çështja kryesore e bisedimeve të tij me udheheqësit kosovarë dhe se ai ka konstatuar përkushtimin e udheheqjes kosovare për thellimin e metejshem për garantimin e ketyre të drejtave .

Zoti Berisha theksoi se ndërsa ka progres në zona të tilla si Fush-Kosova, Gjilani, ku standartet ekzistuese te bashkepunimit nderetnik përmirësohen dita dites, e njëjta situatë nuk mund të thuhet për pjesën vertiore të Kosovës. Në këtë kuadër Berisha theksoi se është shumë e rëndësishme që minoriteti serb ne Kosovë të mos bëhet pre e manipulimeve, por të tregohet realist dhe ti afrohen institucioneve dhe procesit te qeverisjes ne Kosovë.

Kryeministri nënvizoi se dokumenti i paraqitur nga udhëheqja kosovare në Vjenë dëshmon vullnetin e qartë të udhëheqjes kosovare për garantimin e standarteve për një Kosovë multietnike evropiane. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se vendimi i komunitetit nderkombetar per te respektuar kufijte ekzistues ne Ballkan, është një vendim i rëndësishëm dhe përbën një garanci për paqe dhe stabilitet në rajon.

Kryeministri theksoi se pavaresia e Kosovës është e vetmja menyrë për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon.

Kryeministri theksoi se procesi i percaktimit te statusit final te Kosoves nuk duhet te jete nje proces i gjate dhe i zvarritur. Ai u shpreh se e ardhmja e Kosovës është e ardhmja europiane.

Në përgjigje të interesimit të bashkëbiseduesve, kryeministri Berisha theksoi se klasa politike kosovare po tregon ditat dites një pjekuri e maturi të lavdërueshme. Reagimi i Kosovës pas vdekjes së udhëheqësit të tyre shpirtëror Ibrahim Rrugova, ishte reagimi i një vendi civil dhe demokratik. Vdekja e zotit Rrugova nuk la vakum, por udhëheqja kosovare diti që të zgjedhi në mënyre demokratike udhëheqësit e saj të rinj. Gjithashtu pakti midis pozitës dhe opizitës në Kosovë për të qene të bashkuar për sa i përket çështjeve të rëndësishme të saj tregon gjithashtu për pjekurinë që ka arritur kjo klasë politike. Gjithashtu Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm pasi ka arritur të mbajë zgjedhje të lira dhe demoktratike, ka arritur të garantojë një media të lirë dhe të pavarur, sikurse ka arritur të konsolidojë një pjesë të mirë të institucioneve të saj demokratike.

Më tej kryeministri, duke iu pergjigjur pyetjeve të bashkëbiseduesve , foli për bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturën midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ai nënvizoi se lidhjet infrastrukturore në këtë zonë të Ballkanit janë të kufizuara dhe kanë nevojë për investime të mëdha. Lidhjet midis Shqipëri dhe Maqedonisë, Shqipëri dhe Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi janë ndërtuar para 80 vjetëve dhe nuk i përgjigjen stadit aktual të zhvillimit dhe as ritmit të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve midis këtyre vëndeve. Në se këto vende do të kishin lidhje më të mira infrastrukturore si rrugore apo të energjisë, do të kishin mundësi të përfitonin më shumë nga njëri-tjetri. Për këtë arsye, tha kryeministri, investimet në infrastrukturën rrugore dhe atë të energjisë janë një element shumë i rëndësishëm që do të përmirësojë nivelin e bashkëpunimit në Ballkan. Në këtë kuadër kryeministri kërkoi mbështetjen perëndimore për të investuar në këto fusha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›