E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha nderon të rënët e Kosovës

Gjate vizites në Kosovë, kryeministri Berisha nderoi sakrificën dhe kujtimin e dëshmorëve të rënë në Luftën për çlirimin e Kosovës.

Krahas vizitës dhe homazheve në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, kryeministri Berisha vendosi kurora me lule dhe bëri homazhe në monumentet e dëshmorëve të UÇK-së, SaliÇeku dhe Luan Haradinaj, në fshatin Deçan. Gjithashtu kryeministri vendosi buqeta me lule dhe bëri homazhe në varrezat e të rënëve në luftën për liri të Prizrenit.

Pas homazheve, kryeministri Berisha u shpreh për median dhe të pranishmit:

"Nuk mund të mos bëja homazhe tek të rënët e luftës për t'ju shprehur atyre respektin më të thellë të çdo shqiptari për sakrificat e tyre sublime.

Kosova ka sakrifikuar si asnjë vend tjetër në Europë, për lirinë, dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve të saj, por sot të gjithë ne kemi një kënaqësi të madhe sepse drita e shpirtit të martirëve të lirisë, të djemve dhe vajzave, të burrave dhe grave të Kosovës që u bënë të pavdekshëm me veprën e tyre, shndërrohet në pavarësi të Kosovës, shndërrohet në integrimin evropian të Kosovës. Ky është shpërblimi më i madh për ta.

Ne shqiptarët duhet të jemi shumë krenarë në atë që kemi arritur dhe arrijmë me sakrificat tona. Edhe njëherë përulem me nderim të madh para të rënëve tuaj dhe të mbarë Kosovës.

Jam i bindur se shumë shpejt ju do të kurorëzoni veprën e tyre, do të kurorëzoni idealet e tyre me pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›