E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton qytetin e Pejës

Në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë, kryeministri Berisha vizitoi Pejën, një prej qendrave kryesore të rrafshit të Dukagjinit, ku u prit përzemërsisht nga banorët e këtij qyteti.

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës së Pejës dhe u shpreh i lumtur që ndodhej në Pejë në një prej qendrave të frymëzimit kombëtar dhe epiqendrën e lëvizjeve të mëdha për identitet.

Duke vlerësuar kontributin që qytetarët e Pejës kanë dhënë në zhvillimin dhe progresin e arritur në këtë qytet, Kryeministri Berisha tha se përkulet me nderim përpara veprës së tyre. Duke ardhur këtu, u shpreh kryeministri, konstatova se këta qytetarë, brenda pak vitesh, mbi dhembjen, sakrificën, humbjen e pakompensueshme të qindra dhe mijërave bashkëqytetarëve të tyre ndërtojnë me shpejtësi të ardhmen, shfrytëzojnë lirinë dhe vlerat e saj, ecin të sigurtë drejt Kosovës së pavarur, Kosovës së integruar në Evropë.

Më pas kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në monumentin e heroit kombëtar Haxhi Zeka.

Në fjalën drejtuar qytetarëve të Pejës, të mbledhur me këtë rast, kryeministri ndër të tjera u shpreh:

"Vëllezër dhe motra, ju përshëndes vëllazërisht për këtë pritje të jashtëzakonshme. Përulem me nderim të madh, para veprës tuaj madhështore, për identitet kombëtar.

"Sot ne jemi këtu përpara përmendores së burrit të shquar të kombit Haxhi Zeka, që së bashku me gjyshërit dhe baballarët tuaj e shndërroi Pejën dhe Kosovën në kështjellë të pamposhtur të identitetit kombëtar dhe evropian të shqiptarëve, të unitetit të tyre rreth vlerave dhe flamurit, por sot jam këtu për të nderuar veprën e mikut tim të madh e udhëhjeqësit shpirtëror të shqiptarëve, të themeluesit të Kosovës moderne, të lirë dhe të pavarur, të presidentit Ibrahim Rrugova.

Çdo shqiptar krenohet dhe do të krenohet në jetë të jetëve për Ibrahim Rrugovën. Do krenohet me ju, me Pejën, me Kosovën. Kudo shikoj një Kosovë madhështore, një Kosovë të lirë, një Kosovë demokratike, vepër e shpirtit tuaj të pamposhtur, vepër e ndjenjave tuaja, e kurajos suaj, e shpirtit liridashës të shqiptarëve të Pejës dhe mbarë Kosovës."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›