E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha viziton familjen Jashari dhe bën homazhe në varrezat e të rënëve të kësaj familjeje, në Prekaz të Drenicës

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, Kryeministri Sali Berisha bëri një vizitë në Prekaz, e cila ka qenë një nga kryeqendrat e rezistencës kundër pushtuesve serb dhe baza kryesore e UshtrisëÇlirimtare të Kosovës.

Kryeministri bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari, e cila ka sakrifikuar 56 anëtarë të saj në këtë luftë, si dhe vizitoi familjen e komandantit legjendar të Kosovë, Adem Jasharit, ku u prit nga një prej të mbijetuarve të paktë, nipi i famijes Jashari.

Gjatë kësaj vizite, ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh: "Erdha sot për vizitë në Prekaz, një vizitë në tempullin e Lirisë, ku flaka e lirisë nuk u shua kurrë. Erdha për t'u përulur me nderimin më të madh para veprës së Adem Jasharit dhe burrave të Prekazit, që sot prehen të qetë, pasi sakrifica dhe gjaku i tyre jeton në lirinë e Kosovës. Vizitova shtëpinë e tribunit të lirisë, komandanit legjandar të UshtrisëÇlirimtare të Kosovës, Adem Jashari".

Kryeministri Berisha vlerësoi se vepra e Adem Jasharit dhe e familjes së tij janë themelet e Kosovës së lirë, pasi ajo sakrifikoi më shumë se çdo familje tjetër në historinë kosovare. Prekaza mbeti në çdo moment simbol i shpresës dhe i qëndresës, prandaj edhe këtu goditja dhe ishte më e ashpër.

Nga ana e tij, nipi i familjes Jashari falënderoi kryeministrin për vizitën, duke e vlerësuar si një nder të madh për familjen e tij dhe për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Ai u shpreh se familja Jashari, edhe shumë jetë të tjera po të kishte, përsëri do t'i sakrifikonte për Kosovën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›