E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të ZI

Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit të Detit të ZI, kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin mes këtyre vendeve

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, takimin e 19 të Këshillit të Ministrave Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të ZI.

Në takimin e kryesuar nga Ministri i Jashtëm Lulëzim BASHA, në cilësinë e  Kryetarit të  Radhës së kësaj organizate, merrnin pjesë Kryetarët e Delegacioneve  të vendeve anëtare të BEDZ-it, përfaqësues të vendeve me status Vëzhguesi, të vendeve me statusin e Partnerëve të Dialogut Sektorial, Organet e BEDZ,  si dhe të ftuar  të tjerë.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se Presidenca shqiptare e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të ZI e ka vlerësuar dhe e vlerëson shumë këtë organizatë dhe bashkëpunimin në gjirin e saj. Ky bashkëpunim theksoi kryeministri merr një rëndësi të veçantë, dhe si një kontribut i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin ndërmjet vendeve të këtij rajoni.

Kryeministri vlerësoi projektet e përbashkëta  të cilat synojnë nxitjen e këtij bashkëpunimi  dhe intensifikimin e tij në të ardhmen.

Duke u ndalur në proçeset integruese, Kryeministri shprehu bindjen se çdo akt, çdo progres i vendeve anëtare të Bashkimit Ekonomik të Detit të ZI, drejt NATO-s dhe BE është një hap madhor drejt konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, drejt një sigurie më të madhe në këtë rajon, drejt një zhvillimi më të shpejtë e më të fuqishëm.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:

“Është kënaqësi e veçantë për mua tu përshëndes ju përzemërsisht në këtë takim të 19 të Këshillit të Ministrave të Organizatës së bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi dhe tu uroj suksese . Presidenca shqiptare e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi ka vlerësuar dhe vlerëson shumë këtë organizatë dhe bashkëpunimin në gjirin e saj. Kombet dhe vendet tona janë të lidhura me mijëra fije të gjithanshme, ne te shkuarën e tyre. Kombet dhe vendet tona janë ne nje përpjekje  të madhe e te përbashkët ne ndërtimin e te ardhmes se tyre si kombe të te lira sovrane.

Rajoni i këtij bashkëpunimi është një nga rajonet me te rëndësishme te botes me potencialet e tij enorme, me shtrirjen e tij gjeografike ku kryqëzohen rrugët  me të rëndësishme të  planetit,  por bashkëpunimi ekonomik ne kuadrin e kësaj organizate merr një rëndësi të veçantë edhe si një kontribut për të ndihmuar në zgjidhjen e një problematike të trashëguar. Ky bashkëpunim merr një rëndësi të veçantë dhe si një kontribut për paqen, stabilitetin, mirëkuptimin ndërmjet vendeve të këtij rajoni . Projekte te madhe janë vendosur, te cilat synojnë te nxisin bashkëpunimin rajonal, të intensifikojnë këtë bashkëpunim. Ato perfshijnë infrastrukturën, por te tjera shume me te mëdha janë për tu zbatuar. Rajoni është rajoni i rrugëve dhe korridoreve më të mëdha energjetike, te transportit të shkëmbimit tokësor midis dy kontinenteve, të shkëmbimeve të mëdha tregtare. Te gjitha këto kane një kusht fondamental, për tu bërë realitet, paqen stabilitetin, mirëkuptimin.

Vendet anëtare te këtij bashkëpunimi janë vende te bashkuara ne një diversitet, realitetesh politike. Prej tyre janë vende anëtare te NATO-s te BE , te tjera kandidate, për këto institucione. Shqipëria pret anëtarësimin e saj të plotë në NATO, pranverën që vjen. Punon me vendosmëri për zbatimin e te gjitha kërkesave, të cilat janë të domosdoshme për marrjen e statusit të kandidatit në rrugën e integrimit në BE.  Është bindja ime më e thellë se çdo akt , çdo progres i vendeve anëtare të Bashkimit Ekonomik të Detit të ZI, drejt NATO-s dhe BE është një hap madhor drejt konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, drejt një sigurie më të madhe në këtë rajon, drejt një zhvillimi më të shpejtë, më të fuqishëm. Anëtarësia në NATO dhe në BE dhe përpjekjet e vendeve anëtare të kësaj organizate për të arritur në NATO dhe në BE gjykoj se ndikohen shumë pozitivisht nga bashkëpunimi rajonal në kuadrin e kësaj nisme.

Zonja dhe zotërinj!

Rajoni ynë trashëgon sherre jo të pakta nga e shkuara e tij, të cilat sic provuan ngjarjet e gushtit, mund të krijojnë dhe probleme të mëdha, ndaj dhe fryma e bashkëpunimit në kuadrin e kësaj nisme, dialogu, zhvillimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve tona do të bëjë të mundur një zgjidhje të drejtë , paqësore të problemeve të trashëguara.

Me lejoni të shpreh kënaqësinë se gjatë kësaj presidence ka patur një përmirësim serioz të rregullave të funksionimit të sekretariatit dhe strukturave të tjera të saj që synojnë të rrisin eficencën e këtij bashkëpunimi. U bë një hap i rëndësishëm në drejtim të  liberalizimit të vizave për biznesmenë dhe kategori të tjera, por këto janë vetëm hapat e para dhe uroj dhe dëshiroj që hapa të tjerë shumë më të rëndësishëm të ndermiren në mënyrë që kjo zonë me resurse të mëdha njerëzore, ekonomike, të gjithanshme, të mund të intensifikojë bashkëpunimin e suksesshëm në të gjitha fushat.

Ju siguroj se Shqipëria si një vend themelues i kësaj organizate, është e vendosur të japë të gjithë kontributin e saj modest  në konsolidimin e saj.

Edhe njëherë i uroj suksese ministerialit të nismës së Bashkëpunimitimit Ekonomik të Detit të ZI.


23/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›