Kryeministri Berisha pret Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi Irma Baraku
Kryeministri Berisha priti sot në takim Komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Zonjën Irma Baraku.
Kryeministri Berisha e vlerësoi krijimin e Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si një hap shumë të rëndësishëm, në kuadër të forcimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kryeministri e cilësoi këtë Zyrë një gardian, në mbrojtje ndaj çdo lloj praktike diskriminuese. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se konsolidimi i punës së këtij Institucioni do t’i japë një dimension më të gjerë zbatimit të ligjit antidiskriminim.
Kryeministri i konfirmoi komisioneres Baraku mbështetjen e plotë të tij dhe qeverisë për realizimin e detyrimeve të Komisionerit, për mbrojtjen nga diskriminimi në të gjitha fushat e përcaktuara nga ligji, si dhe vendosjen e bashkëpunimit të Zyrës së Komisionerit me ministritë apo institucionet, me të cilat lidhet veprimtaria e saj.
Kryeministri siguroi Komisioneren se po merren masa në mënyrë që çdo projektakt i hartuar, para se të vijë për miratim në Këshillin e Ministrave, të ketë opinionin e Zyrës së Komisioneres, si garanci për shmangien e miratimit të dispozitave që mund sjellin diskriminim gjatë zbatimit në praktikë.
Zonja Baraku, falënderoi Kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë që prej krijimit të Zyrës së Komisionerit dhe e siguroi Kryeministrin se kjo Zyrë do të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave çdo lloj pakice nga diskriminimi.
07/04/2011