Fjala e Kryeministrit Berisha në seancë plenare, për buxhetin faktin 2010

Sot, parlamenti debaton për buxhetin e vitit 2010, për përdorimin e të ardhurave nga taksapaguesit shqiptarë, në interes të çdo qytetari të këtij vendi. Analiza është thellësisht serioze dhe e një rëndësie kapitale. Çfarë bëri qeveria me taksat që mblodhi nga qytetarët shqiptarë?
Qeveria, para së gjithash dhe mbi të gjitha, i shndërroi ato në para për kontot dhe portofolat e 810 mijë familjeve shqiptare. Ky është zëri i parë i buxhetit. Në një kohë kur qeveritë e tjera u detyruan të fusin gërshërën në xhepat e kontot e qytetarëve të tyre, qeveria shqiptare derdhi në kontot e xhepat e qytetarëve shqiptarë, direkt në monedhë, një pjesë të mirë të buxhetit të saj. Kjo qeveri, e ndjeshme dhe e vetëdijshme se investimi tek njeriu është investimi kryesor, e dhimbsur dhe e ndjeshme për faktin se akoma sot janë jo të paktë shqiptarët që përballen me dhimbjet e varfërisë, se sot sërish janë një numër familjesh shqiptare që qajnë çdo ditë me lot mjerimi, ka vendosur si përparësi madhore të saj rritjen e pensioneve, të rrogave dhe ndihmës ekonomike. Dhe kjo rritje erdhi në kundërrymë të plotë, në një kohë kur të tjerët pakësuan me 40 për qind pensionet, në një kohë kur të tjerët pakësuan me 30 për qind ndihmën ekonomike, në një kohë kur të tjerët zvogëluan me 20 deri në 40 për qind rrogat. Kjo qeveri, e një vendi të vogël, ia doli të rrisë rrogat e pensionet dhe t’u japë qytetarëve të saj rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve, në tërë historinë e tyre. Ndaj përse gjithë ky negativizëm që po bëhet pothuaj kongjenital. A nuk keni ju pensionistë në elektoralin apo rrethin tuaj, a nuk ju thonë ata se pensionet e tyre janë rritur në mënyrën më të ndjeshme? Në 8 vite që ju qeverisët keni vendosur në rrogat e pensionet vetëm 13 miliardë lekë, ndërsa sot janë vendosur vetëm në pensione 56 miliardë lekë. Ju keni pasur një fond pensionesh prej 50 miliardë lekë dhe sot, ky fond është 106 miliardë lekë.
Kam qenë i ulur në këto banka në opozitë dhe kisha vetëm një pyetje: ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Dhe unë i gjeja ato në rrogat stratosferike të ofiqarëve, në rrugë që nuk ndërtoheshin kurrë, në çakëll që hidhej në lumë e jo në rrugë, në tavane që binin edhe në kryeqytet.
Por ku janë sot paratë e shqiptarëve? Zotërinj deputetë, kontrolloni fondin pensioneve sot. Ai është 106 miliardë lekë. Sot nuk ka pensionist në qytet me të ardhura pensionale nën 120 dollarë. Sot nuk ka pensionist në fshat që sëbashku me të ardhurat pensionale nuk merr mbi 110 për qind të asaj që merrte pesë vite më parë.
Sot, paratë dhe buxheti i shqiptarëve shkojnë për rrogat e punonjësve të administratës. Flisni me mësuesit e fëmijëve tuaj, sesi i paguanit dhe sa paguhen sot. Flisni me infermierët e mjekët që përkujdesen për zgjedhësit e njerëzit tuaj, të mitë dh të të gjithëve sa i paguanit ju dhe sa paguhen. Sot, ata marrin 120 për qind më shumë. Si jua bën zemra të thoni votojmë kundër, atë e dini ju, por vetëm ky faktor duhet t’ju frenonte dhe e fundit gjë që do ju shkonte është të votonit kundër këtij buxheti. Ju keni votuar kundër rritjes së pensioneve dhe e keni bërë këtë. Ju keni denoncuar si kriminale rritjen e pensioneve dhe e keni bërë këtë, është e regjistruar. Ju shpenzonit për ilaçet e qytetarëve shqiptarë 5 miliardë lekë subvencion, ndërsa sot shpenzohen 25 miliardë lekë subvencione. Mos do të thoni se i sëmuri demokracia njerëzit, mund ta thoni edhe këtë, por nuk ua beson kush. Pra, vetëm për ilaçet shpenzohen 250 milionë dollarë subvencione, nga 50 që shpenzonit ju.
Sot shpenzohen 110 për qind më shumë ndihmë ekonomike dhe nuk them se shqiptarët nuk kanë nevojë, madje kanë nevojë dy herë më shumë dhe ky është qëllimi ynë kryesor, rritja e të ardhurave për çdo shqiptar. Lexoni treguesin Gini dhe do ta gjeni se është i përafërt me gadishullin Skandinav. Socialistë jemi ne në të vërtetë, jo ju. Ka një tregues shumë të rëndësishëm për shpërndarjen e të ardhurave. Gjejeni treguesin Gini, për të parë se ku ndodhemi. Nuk është identik, por shumë i përafërt me gadishullin Skandinav. Dhe kjo, sepse fatura sociale që ju paguanit ishte 6 për qind e GDP-së dhe fatura sociale që ne paguajmë, me një GDP disa herë më të madhe, është 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm. Nuk ka diskutim se fytyra njerëzore e qeverisjes është edhe shtylla e parë e buxhetit. Vetë buxheti është një fjalë që nuk të thotë gjë, por fytyra njerëzore e qeverisjes është shtylla e parë e tij dhe do të jetë sa të jemi ne në pushtet.
Zotërinj deputetë, paratë e shqiptarë po shndërrohen sot në mijëra e mijëra kilometra rrugë që ju nuk shkelni as për zgjedhje, sepse rrini në ekrane televizive dhe nuk u shkoni zgjedhësve aty ku duhet. Për të shkuar në Kukës i bini nga Maqedonia dhe harroni se është ndërtuar autostrada e kombit. Paratë e shqiptarëve shkojnë nga maja e Çajupit, gjer në Valbonë, nga lartësitë e Vermoshit, gjer tek liqeni i Prespës, në Vithkuq e kudo. Ne po ndërtojmë rrugët e shqiptarëve dhe jo vetëm asket madhështore kombëtare, por po ndërtojmë në të gjitha rrugët e rrugicat e shtëpive të tyre. Zonja deputet e Gjinarit, ju nuk ishit në Gjinar, por ne e ndërtuam rrugën dhe ju mund të shkoni atje, se pihet mrekullisht një kafe, pasi është një vend turistik i mrekullueshëm. Dilni e shihni ku shkojnë paratë. Me çfarë ndërtohen rrugët, zotërinj? Kjo është e çuditshme, se e vetmja pyetje që nuk mund të shtroni kurrë është se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Unë dëgjoj zgjedhësit dhe ndodh se sa më shumë ju shtroni pyetje, aq më shumë largohen ata prej jush. Paratë e shqiptarëve, të nderuar deputetë, po shndërrohen e do të shndërrohen në rrugë, derisa çdo komunë e këtij vendi të lidhet me akset kombëtare me rrugë automobilistike, derisa çdo shqiptar, nga çdo cep i këtij vendi, nga Vermoshi, Konispoli, Leskoviku dhe ngado ku është të arrijë në Tiranë të paktën duke kursyer 60 për qind të kohës së mëparshme.
Por ju votoni kundër. Ju, në negativizmin tuaj pothuaj kongjenital, hidhni poshtë çdo projekt e çdo votim. Problemi juaj nuk është inati i momentit, ndaj dhe unë them kongjenital, sepse ju nuk pendoheni për atë që bëni. Njeriu mund të bëjë gabim, por nuk keni thënë ndonjëherë këtë e bëmë gabim. Sa përflisni, shkoni e shikoni rrugët, takoni inxhinierët dhe shihni rrugët që ndërtohen. A e dini se po ndërtohet unaza verilindore dhe jugperëndimore e vendit? Por për ju nuk ekziston as verilindja dhe as jugperëndimi. Kur u ngjitët në Kalën e Dodës, thatë u duk sikur u ngjitëm në Everest dhe ishit veshur e filmuar sikur po vinit nga Everesti. Tani mund të shkoni me rrugë të shtruar të klasit të parë dhe nuk ka nevojë të tregoni trimëri se fjetët një natë në Kalanë e Dodës. Ta keni për nder që fjetët një natë në Kalanë e Dodës.
Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve? Paratë e tyre po shndërrohen në autostrada, në rrugë fshatrash, komunash, lagjesh e shtëpish. Rrugë për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që ata të udhëtojnë njëlloj si qytetarët europianë. Paratë e tyre po shkojnë për ujësjellës. Qytetarët duhet të dalin nga situata. 98 për qind e shqiptarëve marrin ujë nga rubineti. E vërtetë, nuk marrin ujë 24 orë, por e marrin nga rubineti. Janë edhe 2 për qind që marrin ujë me bucela dhe absolutisht, ju jap fjalën se edhe atyre do tu shkojë ujë nga rubineti. Do ta zgjidhim në Tiranë, por edhe në bregun detit, në Pilur dhe për të gjithë ata, që marrin ujë me bucelë. Shkoni e shihni nënat sa e vështirë është të ngjisin ujin me bucelë, por ju i keni harruar ata, sepse po të rrini në Rogner, aty ka vetëm limonadë. Nuk do t’ju drejtohesha kështu, nëse ju do të bënit vlerësimin minimal. Nuk mund ta pranoj negativizmin tuaj total. Kur kryetari juaj i bashkisë ishte në garë, unë e thashë 30 herë në televizor se ka bërë Lanën, ka zgjeruar akset dhe nuk mohova asgjë. Ju mohoni çdo gjë. Për ju nuk ekziston asgjë. Por kështu nuk ecët. Bëjeni këtë dhe sa më shumë ta bëni, aq më shumë do të shkëlqejnë ato që ne kemi bërë dhe nuk kemi bërë gjithçka. Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë shumë më tepër. Kjo është fryma jonë dhe interesi juaj.
Ku shkojnë paratë? Janë ndërtuar qindra shkolla. Shkoni në zonat tuaja dhe konstatoni se janë 1250 shkolla të reja apo të rindërtuara, janë 2000 kabinete informatike në çdo shkollë. Sërish ka shkolla që kanë nevojë për meremetim. Ju jeni deputetë, përse nuk i sillni shkollat e zonave tuaja t’i rindërtojmë dhe na akuzoni për shkolla të pandërruara, por jo me nihilizëm total. Ju mund të na tregoni një shkollë, - unë nuk e injoroj, do ta ndërtojmë edhe atë, edhe atje do të shkojë buxheti - por unë ju tregoj 1250 shkolla. Nuk diskutohet kështu për buxhetin, si me artikujt e gazetave dhe editorialeve. Buxheti diskutohet me shifra, fakte, statistika e vepra.
Ku shkojnë parët? Shkoni pyesni fermerët e Korçës, Mallakastrës, Shkodrës etj.. Mijëra e mijëra plantacione ulliri, vreshta, sera e tani arroresh. Eksporti bujqësor, sigurisht, u dyfishua me mundin e djersën e fermerëve, por edhe me stimulimin që ne u bëmë dhe u bëjmë disa sektorëve të caktuar në bujqësi.
Paratë shkojë në zhvillimin e qëndrueshëm rural. Nuk ka e nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar, nëse çdo fshat i këtij vendi nuk do të ketë infrastrukturën që meriton, të njëjtë me atë të lagjeve të qytetit. Unë e di se kësaj i thonë t’i hysh detit në këmbë, por ne këtij deti i kemi hyrë dhe do t’i dalim ndanë. Ne do të bëjmë Shqipërinë tjetër dhe Shqipëria tjetër, Shqipëria e 100 vjetorit do të jetë Shqipëria e ëndrrës së rilindësve tanë.
Paratë e shqiptarëve shkojnë për një modernizim të tërë të jetës së këtij vendi, të shërbimeve të tij. Vetëm për moshën dixhitale, administrata publike ka sot mbi 120 projekte në zbatim e sipër. Kjo është rruga për të fituar kohën e humbur, për të shkurtuar distancat.
Paratë shkojnë për ngritjen e një infrastrukture turistike të denjë për vendin dhe sot, nga Velipoja deri te Kepi i Stillos janë gjithsej më pak se 30 kilometra rrugë të paasfaltuara, në të gjithë trajektoren. Shkoni dhe kontrollojini! Mundi t’jua numëroj një e nga një, duke filluar nga Velipoja, në Kepin e Stillos. Për të bërë pushimet i bëni, por këtë nuk e njihni. Tani paratë drejt turizmit malor. A e dini ju, deputetë të Gjirokastrës, që këtë jave apo javën tjetër ngjitemi në majën e Çajupit, për të bërë turizmin malor. Gjithashtu, brenda dy javëve inaugurohet rruga për në Sari Saltik, po përfundon rruga e liqenit të Prespës, kemi ndërtuar rrugën në Dardhë, të cilën e doni vetëm për ta shijuar, kemi ndërtuar rrugën më të mirë në Voskopojë, në Vithkuq, po e ndërtojmë në Valbonë , po shkojmë drejt Vermoshit e kudo. Zotërinj deputetë, mos harroni se këto janë një pasuri përrallore e shqiptarëve, e ngrirë, që pret ndërtimin e infrastrukturës që të shndërrohet në një vlerë reale për qytetarët shqiptarë.
Siç e shihni, paratë shkojnë që të gjitha në interes të çdo qytetari shqiptar. Natyrisht, një pjesë e parave shkon për mbajtjen e kësaj administrate. Por mos harroni një gjë. Po të lexoni raportet ndërkombëtare, kjo është një nga 10 administratat më të vogla të planetit dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha të kësaj mazhorance. Me secilin vend të këtij rajoni, për frymë dhe çdo raport, administrata shqiptare varion nga 1 në 2, në 1 në 4 në favor të Shqipërisë. Nëse flasim si ekonomistë, duhet të flasim si ekonomistë dhe të mos kujtojmë këtu politika, platforma, të cilat, absolutisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin. Ju bëni një gabim shumë të rëndë. Të gjithë sentimentet që keni ndaj meje dhe për këto unë nuk kam asgjë, nuk ju qortoj aspak, ju ia vishni realitetit, por nuk duhet t’ju pengojë ndjenja për kundërshtarin, për të parë realitetin ashtu siç është, se do të mbetet në historinë e këtij parlamenti, e shkruar në muret e tij me germa të zeza dhe jo të arta, vota juaj kundër tunelit të Kërrabës, që po lëshon shtat çdo ditë e më shumë. Tuneli që bashkon Elbasanin me Tiranën dhe që u shkurton 1.2 milionë shqiptarëve një orë në rrugën e tyre drejt kryeqytetit, që ju e votuat kundër dhe prapë nuk shkoni. Unë ju garantoj se sapo të mbarojë tuneli, po vazhduat kështu, do detyroheni të ngjiteni në Qafë-Kërrabë dhe të mos hyni në tunel. Bëni një autokritikë, thoni që bëmë gabim që e mbajtëm parlamentin dy ditë kundër tunelit. Ne nuk flasim me shifra, flasim me rrugë, nuk flasim me shifra, flasim me shkolla, nuk flasim me shifra, flasim me tunele, nuk flasim me shifra, flasim me rroga, nuk flasim me shifra, flasim me pensione. Ky është buxheti ynë.
06/10/2011